Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon me mbyllje të përhershme të kufirit me Meksikën


Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka reaguar ndaj ngjarjeve të ndodhura pasi një grup protestuesish nga karvani i emigrantëve që janë nisur nga Amerika Qendrore drejt SHBA-ve u përpoqën të kalonin kufirin Meksikë-SHBA.

Trump në një postim nga llogaria e tij në Twitter ka dhënë sinjalin se do të mbyllin në mënyrë të përhershme kufirin me Meksikën nëse do të jetë e nevojshme.

“Meksika duhet t’i dërgojë në vendin e tyre protestuesit që valëvisin flamurë. Shumica e tyre janë fajtorë. Dërgojini si të dëshironi me autobus apo me avion, sepse ata nuk mund të hyjnë në SHBA”, tha Trump, në postimin e tij pas ngjarjeve në kufirin Meksikë-SHBA, ku një grup nga emigrantët pasi protestuan për procesin e ngadaltë për aplikimet e azilit nga autoritetet amerikane, tentuan të kalojnë kufirin duke tejkaluar barrierën e policisë.

Duke përmendur edhe murin e planifikuar për t’u ndërtuar në kufirin me Meksikën për të parandaluar kalimet ilegale në kufi, Trump ka theksuar se “Nëse është e nevojshme do ta mbyllim përgjithmonë kufirin. Kongres financo murin”.

Ndërsa në anën tjetër, Meksika ka premtuar rritjen e sigurisë në kufirin amerikan pas ngjarjeve të përjetuara dje dhe ka njoftuar arrestimin e 39 emigrantëve.

Ministria meksikane e Punëve të Brendshme ka theksuar se do të deportojë menjëherë personat që tentuan të kalojnë kufirin amerikan duke tejkaluar barrierën e policisë.

Një grup emigrantësh që ndodhen në qytetin Tijuana të Meksikës në kufi me Kaliforninë e SHBA-ve, tentuan të kalojnë murin prej metali mes dy vendeve gjatë një proteste të zhvilluar për shkak të procedurave të ngadalta të aplikimeve për azil.

Për shkak të ngjarjeve, Njësia e Mbrojtjes Doganore dhe Kufitare e SHBA-ve mbylli kufirin dypalësh për kalimtarët, ndërsa forcat e sigurisë ndërhynë me gaz lotsjellës ndaj emigrantëve që tentuan të kapërcejnë muret.

Agjencia Associated Press kishte njoftuar se policia amerikane ndërhyri me gaz lotsjellës ndaj emigrantëve të ardhur nga vendet e Amerikës Qendrore të cilët tentuan të kalonin muret kufitare.

Parashikohet se grupi i emigrantëve mund të qëndrojë për disa muaj në qytet për shkak se zyrtarët e doganës së SHBA-ve mund të kryejnë veprimet e aplikimeve për jo më shumë se 100 emigrantë në ditë.

Ndërsa presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kishte deklaruar se asnjë person nga karvani i 7 mijë emigrantëve që u nisën për të arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Amerika Qendrore nuk do të pranohet në vend pa miratimin e gjykatë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *