Kreu i Partisë Demokratike në një lidhje telefonike për “360 Gradë” në Ora News, ka folur për protestën e banorëve të Astirit dhe për projektin e Unazës së Re.
Basha tha se projekti tek Astiri për Unazën e Madhe nuk ekzistonte i tillë, madje konsiderohej i përfunduar dhe ka zbuluar në detaje planet që ekzistonin në kohën kur ai e drejtonte bashkinë e Tiranës.
Kreu i opozitës akuzoi si dy vjedhës parash kryeministrin Edi Rama dhe Damian Gjiknuri.
“Deputetët e opozitës kanë tre javë në krah të banorëve, dhe do të vazhdojmë të mbështesim banorët deri në fund. Është e padiskutueshme. Kemi qenë aty në momente delikate, si ajo kur sollën mijëra forca policore për të ndaluar protestën mbrëmjen e të enjtes e do vazhdojmë të jemi në krah të tyre për të mbrojtur Kushtetyrën, ligjin dhe banesën, nga një lukuni barbare hajdutësh dhe një kyeministër që është nën overdozë nga paratë e vjedhura, më pëlqen kjo shprehje, po ta marrë pa leje. Është një njeri në overdozë të parave të vjedhura.
Së pari për këtë pjesë të unazës nuk ka pasur projekt pasi konsiderohej e ndërtuar. Pra për këto 2 km që jepen 40 mln euro. Kjo është pjesa e parë e Unazës së Re të ndërtuar. Projekti ynë fillestar ka qenë nga qyteti i Nxënëseve tek Komuna e Parisit. Ky ishte prioriteti dhe ishte prioritet për të shfryrë trafikun që hynte në Tiranë.
Prioriteti ishte lidhja e pjesës ekzistuese që nuk ka nevojë për një projekt të mbivendosur. E gjithë afera është projekt për të pasuruar Edi Ramën, Damian Gjiknurin dhe tre kompanitë. Nuk ka prioritet për këtë pjesë. Natyrisht ka pasur pjesë të tjera. Prioritet është pjesa e lumit të Tiranës.
Natyrisht enti prokurues për Unazën është Drejtoria e Rrugëve pasi vlera e investimit ishte e madhe për një bashki si bashkia ime që e takson biznesin 7 herë më pak. Segmentin nga qyteti i Nxënësve deri tek komuna e Parisit, e ka tenderuar me një vlerë prej 8.8 milion euro km. Nuk ka pasur shtrat rruge. Ka qenë një zonë me banesa, ku çdo gjë niste nga fillimi, duke filluar nga pastrimi i terrenit, vendosja e gjurmës. Nga 8 mln euro kemi kaluar në 20 mln euro.
Kjo është një vjedhje e pastër që bëhet pa konkurrencë. Një qeveri nuk duhet ta kishte prioritet këtë rrugë. 40 mln euro jepen për familjet në nevojë në vit. Sikur këta dy të babzitur Edi Rama dhe Damian Gjiknuri që kanë kryer një vjedhje rekord në 20 vitet e fundit. “, deklaroi kreu i PD-së.