Kreu i opozitës Lulzim Basha ka publikuar një video me protagonist Kryeministrin Edi Rama i cili përpara se të vinte në pushtet u premtonte qytetarëve legalizime falas.
Basha shkruan se Rama erdhi në pushtet duke mashtruar njerëzit e ndershëm por më pas i ktheu shpinën.
Në videon e publikuar nga kreu i opozitës tregohet me zë dhe figure se si Rama para se të vinte në pushtet premtonte legalizime falas dhe pas marrjes së drejtimit të qeverisë nuk u jep qytetarëve legalizimet siç dëshmohet nga dëshmitë e tyre në video.
“Edi Rama erdhi në pushtet me votat që vodhi me krimin dhe votat që ju mori njerëzve të ndershëm duke i mashtruar për zgjidhjen e problemeve të tyre jetike. Sa u ul në karrigen e pushtetit u ktheu shpinën dhe i tradhtoi qytetarët. Filloi të vjedhë si i pangopur Shqipërinë dhe shqiptarët për të mbushur xhepat e tij. Ata që ngrenë zërin kundër vjedhjeve të tij i shan, i dhunon dhe i burgos. Për karrige dhe pushtet ai nuk pyet për asgjë. Ai ndalet vetëm duke e larguar nga pushteti, për t’ja kthyer Shqipërinë shqiptarëve”- shkruan Basha.