Prokurori Besnik Cani është rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Cani është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është aktualisht krahu i djathtë i Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, pasi është këshilltar ligjor i kësaj të fundit.
Cani, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Arta Markut dhe prokurori që pushoi hetimet ndaj njërës prej komisionereve të Vettingut, Valbona Sanxhaktarit, u konfirmua në detyrë, edhe pse ndaj tij ishin gjetur probleme të shumta si për sa i përket pasurisë, ashtu edhe për sa i përket aspektit profesional.
Në një shkrim të Hashtag.al ditën e djeshme, tregohej sesi Cani, në vitin 2004, teksa hetonte për korrupsionin me tenderat e rikonstruksioneve të shkollave, e pushoi hetimin ndaj Sanxhaktarit, e vetmja zyrtare e hetuar ndaj së cilës prokurori pushoi hetimin.
Nga hetimi administrativ i KPK-së zoti Cani rezulton me probleme sidomos në lidhje me pasurinë e tij dhe disa vendime të dyshimta dhe arbitrare në të kaluarën në pushimin e hetimeve.
Një raportim i pak ditëve më parë i Shqiptarja.com zbuloi një listë të gjatë të problemeve të prokurorit Cani.
Komisioni ka ngritur dyshime mbi një kontratë me një kompani hidrokarburesh për ndërtimin e një karburanti, ku prokurori do të merrte 5 lekë për litër. Prokurori Besnik Cani ka një apartament 117 m2 në ‘Don Bosko’, troje në Paskuqan 630 m2 dhe 690 m2, por edhe dy ndërtesa në këtë zonë 150 m2 dhe 300 m2, garazh dhe një makinë. Truallin në Paskuqan 690 m2 dhe banesën 300 m2, Cani thotë se e ka bërë me 700 mijë lekë. Por nuk e justifikon pasi thotë e ka bërë me argat dhe të afërmit e tij.
Komisioni ka ngritur dyshime edhe për aspektin profesional pasi ka pasur një shumë denoncimesh kundër tij, ndërsa janë ngritur dyshime për disa dosje, mes tyre një në Fier dhe një në Elbasan. E para për mos-hetimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo për përfshirje në skemë korruptive për qiratë e buta, pasi vetë prokurori dyshohet se kishte përfituar kredi si i pastrehtë.
Dosja e dytë është për pushimin e hetimeve për tenderat në spitalin Psikiatrik të Elbasanit, kur ka qenë drejtues prokurori në këtë qytet. “Cani hetoi një kallëzim për tenderat në spitalin Psikiatrik në Elbasan. Por pasi hetoi e pushoi akuzën për favorizim me garë, zbuloi se kishte falsifikim dokumentesh, por s’e hetoi këtë”– tha KPK.
Sipas një denoncimi Cani ka mbyllur dosjen e shtetasit V.H të akuzuar për vrasje. Sipas denoncimit u pagua 50 mijë euro. KPK shqyrtoi dosjen. Nga shqyrtimi i dokumenteve Cani ka nisur hetimet. Cani pas vendimit të eprorit në prill 2008 ka plotësuar akuzën edhe për shkaktim vetëvrasje.
Është ripërpiluar kërkesa për gjykimin penal duke kërkuar gjykim për V.H me akuzën ‘shkaktim vetëvrasje’ dhe ‘korrupsion pasiv’. KPK thotë se se Cani nuk është thelluar në hetime dhe padrejtësisht ka pushuar akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes herën e parë ndërsa herën e dytë, pas hetimit, e vendosi.
Dyshohet se përveç komisioneres Valbona Sanxhaktari, në favor të prokurorit Besnik Cani po lobon dhe deputeti socialist Ulsi Manja, aktualisht kryetar i Komisionit Kuvendor të Ligjeve. / Hashtag.al