Presidenti Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini, e cila ndërmjetëson në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Mësohet se Mogherini i ka kërkuar kreut të shtetit kosovar që të hiqet tarifa 100 për qind që qeveria ka vendosur për mallrat serbe. Po ashtu bëhet e ditur se Mogherini e Thaçi kanë folur për negociatat dhe për zhvillimet e fundit mes dy vendeve.
Federica Mogherini foli në telefon me presidentin Hashim Thaçi për të diskutuar zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-sa, për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mogherini theksoi se vendimi i Qeverisë për të rritur taksën mbi mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e ndërlikon edhe më tutje situatën dhe nuk sjell zgjidhje për problemet e njerëzve dhe aspiratat e Kosovës për të ardhmen. Kjo masë nuk ndihmon në raportet e mira fqinjësore dhe duhet të revokohet”, thuhet në komunikatën e BE-së.