Dikur cilësohej ‘xhevahiri i Jugosllavisë”, si një oaz i shkëputur nga komplikimet dhe mentaliteti ballkanas. Sllovenia ishte një përjashtim nga rregulli, pasi afrimiteti historik sidomos me botën austro-hungareze, i dha tjetër frymë dhe tjetër valencë këtij shteti.
Sot Sllovenia renditet në krye të listës evropiane, për standardin e jetesës, lirinë dhe ekuilibrin shoqëror. Është vërtetë një përjashtim nga rregulli ky vend.
E me sa duket, një përjashtim nga rregulli janë dhe shqiptarët që jetojnë prej dekadash aty, mbajnë një profil modest, janë të fokusuar fort në biznes dhe në respektimin e rregullave të lojës dhe përherë gati për të kontribuar në lidhjet mes botës shqiptare dhe Sllovenisë.
Ganimet Shala spikat në këtë kontekst, ajo është një shtetase sllovene me rrënjë shqiptare, që prej afro një dekade është investuar në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe të biznesit mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.
Shala prej 9 vitesh është përfaqësuese e Dhomës Shqiptare të Tregëtisë në Lubjanë. Ajo viziton Shqipërinë si pjesë e një delegacioni biznesmenësh të fuqishëm nga Sllovenia, delegacion i udhëhequr nga zv-kryeministri dhe ministri slloven për punë të jashtme Dr. Miro Cerar.
“Mendoj se ekziston një klimë e favorshme që komunitetet e biznesit slloven të shohin seriozisht mundësinë e investimeve në Shqipëri, por pse jo edhe investimeve shqiptareve në Slloveni, pasi aktualisht kemi disa raste, të cilat mund të realizohen brenda një periudhe të shkurtër. Bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve është relativisht modest, por që duke u bazuar në interesin dhe gjendjen aktuale rezulton një perspektivë e kënaqshme bashkëpunimi në fushën ekonomike në të ardhmen, sepse besojmë se ka potencial të madh për bashkëpunimin dypalësh ku ekzistojnë shumë mundësi të pashfrytëzuara ekonomike në shumë fusha.”, thotë Shala.
Sipas saj bizneset sllovene janë tejet të interesuara të ushtrojnë aktivitetet e tyre në Shqipëri, ç’ka rezulton edhe nga pjesëmarrja e tyre në aktivitete të ndryshme biznesi dhe panaire në Shqipëri, siç e dëshmon dhe pjesëmarrja e gjerë në Forumin e Biznesit Shqiptaro – Slloven në Tiranë.
“Besoj se ky forum, si edhe të tjerët deri tani, rrisin interesin reciprok për bashkëpunim, hapin mundësi potenciale për biznese dhe investime të reja dypalëshe. Fushat më të rëndësishme dhe potenciale për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve janë energjia, bujqësia, turizmi, në veçanti turizmi bujqësor, mbrojtja e mjedisit, duke përfshirë menaxhimin e mbetjeve, pastrimin e ujrave etj. Kompanitë sllovene kanë eksperiencë rajonale, disa nga ato edhe eksperiencë globale, zotërojnë teknologji, personel dhe know-how shumë të mira, duke ofruar produkte dhe shërbime në të gjitha fushat. Shqipëria ka një potencial të madh zhvillimi. Ia vlen të përmendet këtu dhe fakti që Shqipëria gëzon statusin e vendit kandidat për në BE dhe është në rrugëtimin e saj drejt BE-së, ndërkohë që Sllovenia është një mbështetëse e fuqishme e procesit të zgjerimit të BE-së ku vazhdimisht dhe në mënyrë aktive mbështet edhe integrimin e Shqipërisë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen”, shprehet më tej ajo.
Bashkëbiseduesja thekson se promovimi i Shqipërisë duhet të jetë i pandalshëm, si në nivel politik ashtu dhe në biznes. Ajo prej vitesh shfrytëzon rastin duke promovuar Shqipërinë dhe resurset e saj, mundësitë e biznesit, duke krijuar korridore komunikuese lobimi që përkrahin integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e saj ekonomik.
“Mendoj se Shqipëria ka disa pika të forta si: produktet shqiptare, natyrën, turizmin dhe të tjera”, – shprehet Shala, ndërsa, falë përpjekjeve të saj, shumica e turistëve sllovenë kanë nisur të njohin Shqipërinë ku preferojnë sidomos alpinizmin por, para të gjithave, ushqimin dhe mikpritjen bujare shqiptare.
“Sllovenët janë popull modest, të cilët e duan shumë natyrën andaj edhe dinë t’i vlerësojnë alpet dhe pikat e tjera malore në Shqipëri, turizmin bujqësor, i cili ka një perspektivë edhe më të mirë, nëse investohet siç duhet”, – argumenton më tej Shala.
Ganimet Shala ka qenë protagoniste e dorës së parë si përfaqësuese e kompanisë shtetërore sllovene të telekomunikacionit, “Telekom Slovenije”, duke përfunduar me sukses privatizimin e platformës “IPKO” në Kosovë dhe duke synuar në vitin 2012 të realizonte projektin e sistemit të digjitalizimit në Tiranë.
Ganimet Shala shprehet se nismat e saj kanë në themel njohjen e mentaliteteve dhe gjuhës të dy vendeve, Sllovenisë dhe Shqipërisë.
“Dua të shpreh dashurinë që kam, qoftë për Shqipërinë, por në masë të njëjtë edhe për Slloveninë, sepse i njoh të dyjat kulturat, temperamentet, sjelljet, prirjet, kontributet. Jam specializuar në studimet e mia pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, kurse ato universitare i kam në fushën e ekonomisë, por mendoj se përvoja jetësore në lidhje me zhvillimin e ekonomisë, diplomacisë dhe në përgjithësi fushën ndërkombëtare është një pasuri që nuk ta jep dot asnjë shkollë”, – rrëfen Ganimet Shala.
Ajo çfarë bën prej vitesh Ganimet Shala mes Sllovenisë dhe Shqipërisë, është në fakt “diplomacia e padukshme ekonomike”, kur rrënjët, njohjet dhe lidhjet në diplomaci dhe biznes, shërbejnë si urë që mund të çelin mundësi që deri pak kohë më parë as mund të mendoheshin.