Astrit Patozi ka kundërshtuar ish-kryeministrin Sali Berisha, lidhur me komentin e këtij të fundit për kandidimin e Ridvan Bodes për një vend në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Për Berishën kandidimi i Bodes përbën një problem moral për aq kohë ai është një propozim i qeverisë.
Por Patozi, i cili sikurse Bode është në mesin e figurave të PD-së që Lulzim Basha nuk i bëri pjesë të listës në zgjedhjet e 2017-ës, ka kundërshtuar Berishën duke thënë se “pasi të vrasin, të kërkojnë dhe llogari”.
“VETËM NË SHQIPËRI NDODH…
Nëqoftëse vendimi i Ridvan Bodes për t’u larguar nga politika dhe për të parë hallet e veta paska një problem moral, unë nuk di se çfarë emri mund të gjendet për pazarin e pistë të Lulzim Bashës me Edi Ramën më 18 maj.
Sepse për të gjitha mund të kërkohej një argument, por për marrjen prej tij të atyre drejtorive me lekë, të cilat nuk i lëshonte edhe pasi i humbi si derri zgjedhjet, nuk kam dëgjuar ende dikë që të ketë nxjerrë ndonjë justifikim. Mbase do të dalë nesër, ku i dihet…
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë akoma që, edhe pasi të vrasin me gjakftohtësi, të të kërkojnë llogari se përse nuk u kërkon leje ekzekutorëve se si ta organizosh funeralin.”, shkruan Patozi.
Ish-kryeministri Sali Berisha, pak ditë më parë nga studio e “Përballë” në RTSH, foli për herë të parë në lidhje me kandidaturën e Ridvan Bodes për në Këshillin Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë.
Berisha tha se Bode ka bërë zgjedhjen e tij dhe nuk e ka diskutuar me të. Në këtë zgjedhje Berisha shikon vetëm një problem nga ana morale.
“Ridvan Bode ka bërë zgjedhjen e tij, është larguar nga politika. Kështu e shikoj unë vendimin e tij. Nuk mund të themi se për inat të sime vjehrre do shkojë të fle më mullixhiun. Nuk mund të themi këtë pasi ia ka marrë një vendim është larguar nga politika. Rama tha se me një SMS ka rënë dakord, në rregull nuk mund të them gjë”– u shpreh Berisha.