Këshilltari Ligjor i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi nëpërmjet një deklarate për shtyp nga selia blu ka akuzuar kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj se për projektin e Unazës së Re ka anashkaluar të gjitha procedurat e një tenderimi.
Sipas Bardhit, projekti 40 milionë euro është përcaktuar nga Rama për të ndarë paratë me 3 miqtë e tij.
Më tej Bardhi sqaroi se projekti është bërë pa asnjë studim fizibilitet, pa vlerësim të ndikimit në mjedis si edhe pa një analizë të kosotove.
“Projekti 40 milionë euro i Unazës së Re është aq korruptiv dhe i paligjshëm, saqë shumë zyrtarë të lartë duhet të ishin sot në burg, duke u hetuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Projekti është në paligjshmëri të plotë, sepse me miratimin e Edi Ramës dhe të Erion Veliajt, qeveria ka anashkaluar procedurat kyçe të realizimit të një projekti madhor publik, siç përcaktohet në vendimin nr 628 të Këshillit të Ministrave, të 15 korrikut 2015”- deklaroi Bardhi.
Më tej këshilltari i PD-së ka sqaruar se “40 milionë euro është vetëm vlera që Edi Rama ka vendosur të ndajë me 3 kompani të paracaktuara për ndërtimin e 2.2 kilometrave rrugë. Ligji përcakton se për të shkuar deri tek tenderimi i një vepre si kjo e Unazës së Re duhet të realizohen disa vlerësime”.
Bardhi gjithashtu theksoi se qeveria ka anashkaluar procedurat ligjore të cilat kërkojnë që të bëhet një tender i plot konform ligjit.
“Projekti 40 milionë euro është tenderuar:
- Pa studim fizibililiteti
- Pa vlerësim të ndikimit në mjedis
- Pa analizë kostoje dhe përfitimi
- Pa vlerësim shpronësimësh.
Procedurat janë kapërcyer qëllimisht për të fryrë faturën e ndërtimit dhe për të shmangur shpronësimet. Paligjshmëria e projektit 40 milionë euro të Edi Ramës nuk ndalet vetëm tek anashkalimi i disa procedurave kyçe, që fshehin vlerën reale të projektit. Nën presionin e protestave të qytetarëve dhe opozitës, qeveria ka pranuar se projektimi i veprës tek Unaza e Re është dhuratë, është sponsorizim nga një kompani private. Ky është një tjetër veprim i paligjshëm me projektin 40 milion euro”-sqaroi Bardhi.