Vendosni fjalën kyçe....

Rrëfimi i presidentit Meta, çfarë thotë për raportet me Ramën e Kryemadhin dhe vendimet e marra


Presidenti Meta ka dhënë një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu mbrëmjen e sotme.

Ai rrëfeu shumë anë të panjohura deri tani të jetës së tij si kreu i shtetit. Ai foli për raportet e tij me bashkëshorten, që është kryetarja e LSI-së, Kryemadhi.

“Së pari, gjëja që ka ndryshuar më shumë në jetën time si President është për arsye, sepse tani nga një kontakt dhe nga një takim i vazhdueshëm me Monikën për shkak të angazhime të mëparshme në të njëjtën forcë politike apo të dy në Parlament e kështu me radhë, tani janë dy axhenda krejtësisht të ndryshme.

Aq sa ju ndoshta edhe nuk do ta besonit që kishim disa javë pa qenë bashkë për drekë apo për darkë, edhe falë ambasadorit të OSBE-së u takuam një ditë që hëngrëm darkë së bashku. Kështu që nuk është se jemi në një kontakt të vazhdueshëm përveç rasteve të ditëve të festave.” – tha Meta.

Më tej ai foli edhe për raportin e tij me kryeministrin Rama të cilin e cilësoi si normal.

“Kam pasur një raport normal. Që në kohën kur kam qenë kryeministër dhe ai kryetar bashkie dhe sot që unë jam president dhe ai kryeministër. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, kemi pasur edhe marrëdhënie problematike. Në detyrën që jam, për mua historitë e së kaluarës dhe raportet personale me asnjë nuk vlejnë. Për mua vlen sjellja institucionale, qëllimi i përbashkët për të cilin duhet bashkëpunuar. ­- shtoi Meta.

Meta theksoi se në të gjitha vendimet e tij ishte udhëhqeur nga Kushtetuta, gjë të cilën do e vijojë deri në fund.

“Me Greqinë do bëj më të mirën institucionalisht. Nuk dua të jem pjesë e spekulimeve. Do respektoj Kushtetutën e vendit dhe interesat kombëtare. Lidhur me dekretimin e kreut të ri të SHISH-it kam qenë i qartë. S’më ka pëlqyer mënyra sesi është bërë dorëheqja e ish-kreut te SHISH-it.

Po kështu në rastin e ministrit të Brendshëm, Lleshaj. S’e kam patur të mundur ta dekretoj Lleshajn që herën e parë. Kushtetuta është shumë e qartë në këtë drejtim. Nuk nisem nga vlerësime personale për askënd por kam përmbushur detyrimet kushtetuese.” – tha Meta

Gjithashtu Meta tha se në rastin e banorëve të Unazës së Re të cilët protestojnë prej 26 ditësh, duhet të gjendet një zgjidhje sa më e drejtë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *