Në Evropë, pyjet mbulojnë mbi 30% të sipërfaqes së tokës dhe ofrojnë një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh për shoqërinë, nga vlerat e natyrës deri tek rekreacioni dhe nga manaferrat deri te druri i prerë dhe letra. Në një studim të fundit të Fondacionit për Kërkimin Pyjor në Evropë, rezulton se Shqipëria është ndër vendet me më pak pyje në Europë. Sipas shifrave, 28 % e territorit shqiptar mbulohet nga pyjet. Në total, 0.0776 mln ha janë pyje. Shtetet e tjera me pak pyje, rezultojnë: Belgjika me 22 % të totalit të territorit, Qipro me 19 % të territorit, Danimarka me 14 % të territorit, Islanda me 0.3 % të territorit.
Raporti citon se mirëqenia jonë varet nga prodhimi i qëndrueshëm i mallrave dhe shërbimeve që sigurojnë pyjet.
Hulumtimi nga ana tjetër, siguron një bazë të shëndoshë për vendimet në mjedisin tonë të ardhshëm. Pyetjet në lidhje me pyjet dhe mjedisin janë zgjidhur gjithnjë e më shumë nga marrëveshjet ndërkombëtare. Bashkëpunimi evropian në kërkimin e pyjeve nevojitet për të mbështetur vendimmarrjen në lidhje me rolin e ardhshëm të pyjeve dhe sektorit pyjor në të gjithë kontinentin.
Çështjet kryesore të studiuara janë:
- Zhvillimi i qëndrueshëm i mjedisit pyjor: ruajtja e biodiversitetit dhe ekosistemeve për gjeneratat e ardhshme;
• vlera ekonomike e pyjeve: prodhimi i qëndrueshëm i drurit dhe produkteve pyjore jo drusore (NTFP);
• roli i pyjeve në ofrimin e mundësive për punë dhe mirëqenies në zonat rurale;
• dru si burim energjie;
• pyjet dhe ndryshimet klimatike: roli i pyjeve si mbytje të karbonit që zbut efektin serë; dhe
• vlerat rekreative dhe kulturore të pyjeve.
Në një studim të mëparshëm, cilësohet se Shqipëria prodhon mesatarisht 351.36kg dioksid karboni në vit për shkak të udhëtimeve në vendin e punës apo për në institucione arsimore. Kjo sasi e lartë dioksidi në mënyrë që të neutralizohet, sipas kërkimeve të Numbeo.com kërkon që për çdo pasagjer të jenë të mbjella 4.1 pemë. Shqipëria llogaritet të ketë një indeks trafiku në 137.09, duke u lënë pas nga vendet e rajonit vetëm Italinë me indeks 144. Kroacia, Bosnje – Hercegovina dhe Serbia paraqiten me një indeks të trafikut në shkallë më të ulët se vendi ynë, përkatësisht me 101.8, 80.9 dhe 94. Sa i takon emetimit të dioksidit të karbonit, Shqipëria e ka indeksin në vlerë 1,464. Bosnje – Hercegovina paraqitet si vendi me indeksin më të mirë për sa i përket emetimit të CO2, për vendet e Ballkanit Perëndimor.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al