Daniel Protoduari, Daniel Dobraj dhe Ilir Katiraj kanë folur në një lidhje telefonike nga burgu Fushë-Krujës ku ndodhen të ndaluar. Ata u ndaluan pas protestës te Kuvendi ku u plagosën disa efektivë policie dhe protestues.
Daniel Protoduari ka deklaruar në dëshminë e tij se pas vajtjes në Drejtorinë e Policisë në Tiranë është dhunuar psikologjikisht nga policia.
“As prangat nuk më kanë hequr në ambientet e shoqërimit. Nuk më kanë lënë as të komunikoj me familjen. Nuk më kanë dhënë as bukë për të ngrënë. Kisha 20 policë mbi kokë. Më bënin shumë presion psikologjik. As vetë nuk e di se çfarë kam firmosur atje aq shumë trysni e presion psikologjik që kam pasur atje.” – tha Protoduari, në një lidhje telefonike për “Fax Neës” nga burgu i Fushë-Krujës.
Më tej ai tha se pronën do e mbrojë deri në fund dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet për asnjë arsye. I riu theksoi se ndalimi i tij dhe i të tjerëve ishte bërë për arsye politike dhe akuzoi prokurorinë dhe gjykatën se e kishin lënë në burg pa asnjë provë.
“Nuk e kuptoj prokurorinë dhe gjykatën tonë se në çfarë ligji bazohen. Unë isha si të gjithë të tjerët, por pa asnjë lloj prove më hiqet liria. Kudo që të jem, jo vetëm nga burgu, i bëj thirrje Edi Ramës, ta harrojë se ato prona mund t’i marrë. Ai do t’i marrë vetëm kur të kalojë mbi trupat tonë. Po bën arrestime politike, por nuk do t’ia dalë jo vetëm ai por as Erion Veliaj e as Afrim Qendro. Unë kam pasur disa akuza. Në fakt s’di as vetë se çfarë akuzash, por një ndër to është ajo e plagosjes së rëndë me dashje. Unë nuk e di se ku e kam bërë këtë plagosje.” – shtoi ai.
Kurse i riu tjetër, 18-vjeçari Dobraj, i cili është dhunuar nga policia gjatë ndalimit, duke iu dëmtuar disa gishta tha se i kërkon ndjesë efektives së policisë që dëmtoi gishtat gjatë protestës duke thënë se nuk ishte qëllimi i tij që protesta të shkonte në atë mënyrë dhe as që të dëmtonte efektiven.
“I kërkoj ndjesë efektives qëu plagos nga kapsollat gjatë protestës. Nuk kam dashur ta lëndoj në asnjë rast as atë dhe as policët e tjerë. Dolëm aty për të mbrojtur pronat tona dhe nuk donim që protesta të merrte atë rjedhë. Jam dhunuar nga 4 civilë gjatë shoqërimit dhe mu dëmtuan gishtat.” – tha Dobraj.