Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian , Donald Tusk, në lidhje me tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë në Detin Azov, tha se “Jam i bindur se BE do të zgjasë sanksionet ndaj Rusisë në muajin dhjetor”,
Në Argjentinë ku ndodhet për samitin G20, Tusk ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me presidentin e Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për shkak të tensionit në rritje në Detin Azov. Jam i bindur se BE do të zgjasë sanksionet ndaj Rusisë në muajin dhjetor”, tha Tusk duke ripërsëritur mbështetjen e BE-së për Ukrainën.
Pasi ka përmendur edhe marrëveshjen për Brexitin mes BE-së dhe Britanisë, Tusk tha se “Teksa afrohet votimi në Parlamentin e Britanisë shikojmë që marrëveshja aktuale është më e mira e mundshme. Nëse kjo marrëveshje nuk miratohet në Parlamentin e Britanisë ose nuk do të ketë marrëveshje ose nuk do të ketë Brexit”.
Ndërsa presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker në lidhje me “problemin e buxhetit” mes Brukselit dhe Romës tha se “Kemi arritur disa përparime në lidhje me mosmarrëveshjet me Italinë për buxhetin”.
Duke bërë të ditur se nesër do të takohet me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, Juncker ka theksuar se “Italia është me ne, dhe ne jemi me Italinë. Atmosfera është pozitive”.