Futbolli është magjik edhe prej tifozëve. Ajo që ka ndodhur në stadiumin mitik të Galatasaray, Ali Sami Yen, është një tjetër dëshmi se futbolli është fe: 40,541 tifozë të gjigantëve turq kanë ndezur stadiumin për të mbështetur skuadrën e tyre përpara derbit ndaj Besiktasit.
Pritja e tyre, në hyrjen e lojtarëve në fushë për stërvitjen e fundit para derbit, është pak të thuash emocionuese. Flakadanët e kuq kanë ndezur gjithë ambjentin, si dëshmi e tyre se në këtë ndeshje kërkojnë vetëm fitoren, pavarësisht mungesave të rëndësishme që ka Galatasaray.
Një mënyrë e vecantë për të motivuar lojtarët para ndeshjes, që janë befasuar kur kanë parë një eufori të tillë, në seancën stërvitore. Aktualisht Galatasaray (24) është i treti në Super Ligën turke dhe është në ndjekje të Basaksehir, që ka 30 pikë, por një ndeshje më shumë të luajtur. Besiktas renditet në vendin e gjashtë me 21 pikë, por në këtë ndeshje vjen si favorit.