Sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Arsimit për Maturën Shtetërore 2018-2019, maturantët nuk do të kenë dy lëndë me zgjedhje, por do të zgjedhin vetëm një. Si dhe lista e lëndëve alternative është shtuar nga 8 në 11.
Nga 5 provime që maturantët i nënshtroheshin në vitet e mëparshme, Matura Shtetërore 2019 do të ketë një më pak, 4 të tilla.
“Është një eksperiment që po ndodh për herë të parë sivjet, por mendoj se është më e lehtë për ne nxënësit sepse na heq më shumë ngarkesë”, thotë një maturante për Top Channel.
Veç testimit të njohurive në provimet e detyruara të Matematikës, Gjuhës Shqipe e Letërsisë dhe Gjuhës së huaj, gjimnazistët do të zgjedhin vetëm një lëndë me zgjedhje për të dhënë provimin nga 11 mundësitë që kanë; lëndë që do të ketë peshë për degën që do të zgjedhin në sistemin universitar.
Tri lëndë të reja me zgjedhje, veç atyre bazë, i janë shtuar listës së lëndëve alternative, të cilat janë: Histori baleti, Histori muzike dhe Histori arti.
Ndërkohë që në udhëzim nënvizohet se provimet e detyruara do të mbështeten në informacionet e marra nga kurrikula bërthamë, ndërsa për lëndën e zgjedhur maturanti nuk është i detyruar të zgjedhë vetëm ato që ka zhvilluar në shkollë.