Një ditë pas trazirave në Paris për shkak të protestave të të ashtuquajturve “Jelekë të Verdhë”, presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një takim urgjent të sigurisë.
Një zëdhënës i qeverisë tha se një gjendje e jashtëzakonshme mund të imponohej, për të trajtuar trazirat, shkruan “BBC”.
Protestat mbi taksën e karburantit kanë rritur zemërimin në përgjithësi të qytetarëve francezë, për kostot më të larta të jetesës, të imponuara nga kjo taksë.
Policia tha dje se një person tjetër vdiq në protesta, duke e çuar në tre numrin e viktimave që kur demonstrimet filluan më shumë se dy javë më parë.
Protestat e së shtunës u përqendruan në Paris, ku disa demonstrues kanë mbetur paqësorë, por të tjerë u përleshën me policinë dhe dëmtuan “Arc de Triomphe” – Harku i Triumfit.
Më shumë se 100 vetë u plagosën në kryeqytet, përfshirë 23 anëtarë të forcave të sigurisë. Policia thotë se më shumë se 400 vetë u arrestuan.
Macron u kthye nga samiti i G20 në Argjentinë të dielën në mëngjes dhe shkoi drejt te “Arc de Triomphe për të vlerësuar dëmin.
Ai po takon kryeministrin, ministrin e brendshëm dhe zyrtarët e lartë të shërbimit të sigurisë në pallatin presidencial.