Vendosni fjalën kyçe....

Tirana-mahnia e Rezarta Delisulës


Blog Autor – Ben Andoni

Duhet të ketë qenë e paimagjinueshme asokohe për gazetaren e re Rezarta Delisula, që do vinte një ditë, njëzetë vite më vonë t’i kushtohej qytetit të saj.

Por jeta, ashtu si të përplas me kapriçot e veta të afron dhe me destinet. Për vite me radhë, përmes rubrikave që krijoi dhe mbi të gjitha mbulimin që i bëri çdo caku dhe pragu të kryeqytetit, ajo tregoi jo thjesht konceptin e saj për qytetin por edhe dashurinë e madhe për vendlindjen e saj. Mbi të gjitha ajo diti të lexoj kumtet që ky qytet përçoi ndër vite për tiranasit përmes shpirtit të madh dhe mbi të gjitha dashurisë humane.

Një nga këto mesazhe arriti të lexojë mirëfilli Rezarta, që tashmë nën petkun e gazetares së njohur të sociales dhe redaktores me përvojë, t’i kushtohej qytetit të saj me botimin e fundit Tirana-mahnia.

Sfida ishte pak e vështirë, pasi, në këtë udhë kishin ecur dhe shumë syresh para saj, ndaj ajo zgjodhi një formë të këndshme, duke shkrirë idenë e një zhanri miks përmes guidës së Tiranës së harruar, gjeografisë, arkitekturës, fotografisë, të drejtës zakonore dhe përshkrimit gati lirik dhe nostalgjik të qytetit tonë.

Në ditët, muajt në vijim libri do të tregojë realisht vlerat e tij nga përcjellja që do t’i bëjë publiku dhe kritika, porse që në fillim me prezantimin e tij, gazetarja e njohur tregoi se dashuria e saj për Tiranën e kishte kryer misionin e parë, falë pjesëmarrjes të gjerë.

Tirana-mahnia të jep befasinë që çdo tiranas i vërtetë ka për qytetin e vet por edhe shpirtin e vet të madh, pikërisht atë që i dhuroi siguri dhe ngrohtësi valëve të mëdha së të ardhurve në këtë 100 vjet. Pikërisht, ata që i dhanë atribute të reja fizionomisë së saj. A arritën t’ia kthenin këta të fundit?

Kjo mbetet për t’u diskutuar, por qëllimi i koleges sonë ka qenë një dhe i vetëm, për ta bërë sa më të adhurueshme pamjen e qytetit tonë të bukur dhe të përkorë. Libri është dy-gjuhësh (shqip-anglisht) dhe kështu përbën një kontribut të madh për të huajt të cilët duan t’i qasen kulturalisht kryeqytetit tonë. Delisula, në ndihmë të shtjellimit të këtij libri, ka pasur dhe një sërë shkrimesh, të cilat i ka bërë gjatë viteve dhe më shumë akoma, gjatë përpjekjeve të saj për të zbuluar çdo cep të qytetit.

Përveç informacionit të gjerë në disa fusha, libri të ofron dhe një pamje shumë interesante fotografike të shndërrimit të këtij qytetit, prej një zone të vogël urbane në një metropol, që duhet thënë se në vitet tona mbart frymën e zhvillimit të vendit.

Kjo e bën librin që të shikohet me respekt, por nga ana tjetër të të mbajë pezull përmes shfletimit të 176 faqeve, mbushur me fakte, argumente, histori dhe fotografi të qytetit tonë të dashur. Nga ana tjetër, përmes titujve shumë goditës, ajo ka goditur me nuhatjen e publicistes së shkathët të kureshtojë në çdo moment.

Libri mban dhe një staf të tërë, dhe kjo e bën të respektuar për punën. Fotot janë bërë nga Endrit Delisula dhe mbulojnë përveç pamjeve panoramike nga gati çdo cep të qytetit dhe detaje interesante.

Enxhi Terihati është marrë me sukses me përkthimin, duke i dhënë një karakter të madh njohës edhe për të huajt librin, kurse Afërdita Hysaj dhe Artan Buca janë marrë me layout e librit. Një punë e mirë i dedikohet dhe redaktores së librit Fiorela Katroshi, që e ka sjellë në formatin publik.

Në përfundim mund të thuhet se rruga që nisi gati njëzetë vite më parë ka dhënë dritë shprese te gazetarja, që ia shpërbleu qytetit në vigjilje të 100-vjetorit të pagëzimit si kryeqytet me këtë botim të ri të vyer.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazetashqiptare


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *