Deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim i kanë dërguar një letër të gjitha institucioneve të përfshira në projektin e Unazës së Re.
Letra u dërgohet ministrit të Infrastrukturës, Gjiknuri, kreut të ARRSH-së, Qendro, drejtorit të ALUZNI-t, Lame, kreut të Hipotekës, Pjetri dhe kryebashkiakut Veliaj.
Deputetët u drejtojnë 6 pyetje përfaqësusve të institucioneve për të marrë informacione në lidhje me projektin.
- Kush e ka hartuar projektin përfundimtar të zgjerimit të segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe gjithë pjesën e Unazës së Madhe të Tiranës? Kush e ka kërkuar hartimin e këtij projekti? A është miratuar projekti përfundimtar konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë? Sa është vlera totale e projektit dhe a është bërë një studim fizibiliteti? Ju lutem të na vendosni në dispozicion projektin të shoqëruar me të gjithë detajet teknike.
- A janë zhvilluar konsulta publike përpara miratimit të projektit përfundimtar nga institucionet shtetërore përgjegjëse?
- Sa është numri i pronave private që janë përllogaritur të shemben për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti? Sa është sipërfaqja totale e këtyre pronave?
- Sa prej këtyre pronave private janë të pajisura me çertifikatë pronësie dhe sa jo (ju lutem të na vini në dijeni numrin e objekteve shoqëruar me sipërfaqen totale të tyre). Sa prej objekteve janë në proces legalizimi?
- A ka filluar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar VKM dhe VKB përkatëse? Sa është fondi i planifikuar për këtë qëllim?
- Si janë trajtuar nga Aluizni ndërtesat që preken nga ndërtimi i kësaj vepre? A janë vlerësuar apo trajtuar më ndonjë akt shkresor përjashtimi apo kualifikimi objektet në proces legalizimi, sipas ligjit?
Deputetët kërkojnë të gjitha procedurat e ndjekura deri në procedurën e prokurimit publik si dhe dokumentet shoqëruese.