Një video po qarkullon në rrjet nga protesta e së shtunës e “Jelekëve të Verdhë” në Francë, ku shihet se si ndonëse në krye të detyrës për të mirëmbajtur rendin, policët mbështesin protestuesit duke hequr kokoret.
Vetëm në qytetin e Toulouse, gjatë protestave kundër rritjes së çmimit të karburantit, mbetën të plagosur 48 oficerë policie, pesë prej të cilëve janë shtruar në spital.
Demonstrata e “Jelekëve të Verdhë” shkaktoi trazira, duke e bërë qytetin jugor francez si dhe Parisin të dukeshin si fusha beteje.
Por policët francezë duket se nuk duan të përleshen më me njerëzit e tyre dhe këtë e tregojnë me qëndrimin në protestë.
Të quajtur lëvizja “Yelloë Vest”, protestat e nisura që nga 17 nëntori e marrin emrin e tyre nga xhaketa fluoreshente ‘hi-viz’.
Protestuesit kundërshtojnë ‘taksën e gjelbër’ të Macron, e cila konsiston në rritjen e tarifës së karburantit. Duke filluar nga 1 janari 2019 do rritet 6.5 cent benzina dhe 2.9 cent nafta.
Deri më tani, protestat në Paris kanë rezultuar në plagosjen e më shumë se 130 personave – njëri prej tyre në mënyrë kritike – dhe në 412 arrestime. Të shtunën u nda nga jeta edhe një tjetër protestues, duke e çuar në tre numrin e viktimave.
Qeveria franceze po mendon vendosjen e një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe është zotuar të vazhdojë me reformat, megjithëse Macron deklaroi se ishte gati të fliste me protestuesit.