Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është i sigurt “se në një kohë në të ardhmen”, ai, presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “do të fillojnë të flasin për një ndalim kuptimplotë” të “garës së madhe dhe të pakontrollueshme të armëve”.
Trump i bëri këto komente në Twitter, pas një takimi me Xinë dhe një diskutimi të shkurtër me Putinin në margjina të një samiti që u mbajt në fund të javës së kaluar në Argjentinë.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 716 miliardë dollarë këtë vit, duke sugjeruar se shuma është ndarë për armë dhe ushtri. “Çmenduri”, tha Trump.
Deklaratat vijnë në kohën e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Moskës, pas njoftimit të Trumpit në tetor se SHBA-ja do të tërhiqet nga Marrëveshja për Forca Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme Veprimi, shkruan REL.
Ky pakt dypalësh, i nënshkruar më 1987, i ka ndaluar raketat me rreze të mesme.
Trump ka thënë se SHBA do të tërhiqet pas shkeljeve të dyshuara të marrëveshjes nga ana e Rusisë.
Trump po ashtu ka shprehur shqetësim se traktati e detyron SHBA-në të bëjë kufizime, derisa vendet e tjera si Kina, që nuk janë nënshkruese të traktatit, mund të zhvillojnë raketa.