Vendosni fjalën kyçe....

U prishen shtëpitë nga Bulevardi i Ri, banorët e Bregut të Lumit bllokojnë rrugën: S’i lëmë shtëpitë tona


Banorët e Bregut të Lumit, që preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri të Tiranës po zhvillojnë një protestë kundër prishjes së banesave të tyre që preken nga ky segment.

Ata kërkojnë dëmshpërblimin e pronave të tyre përpara prishjes pasi nuk kanë se ku t’i çojnë familjet e tyre. Bulevardi ka mbërritur në pikën e fundit të tij dhe banorët janë kërcënuar me prishje banesash dhe dalje në rrugë.

Duhet theksuar fakti se banorët e dy segmenteve të para që janë prekur nga ndërtimi i Bulevardit të Ri, janë shpronësuar dhe dëmshpërblyer për banesat dhe pronat e prishura, ndërsa banorët e segmentit të tretë ku përfshihen 46 banesa e ku jetojnë qindra familje nuk u është ofruar asnjë dëmshpërblim.

“Shtëpia jonë, prona jonë nuk shkelet me këmbë. Do i përshkallëzojmë protestat, do bllokojmë rrugën dhe do vetëflijohemi për banesat tona. Këtë ta dijë mirë Rama e Veliaj. Nuk do i lëmë banesat pa u dëmshpërblyer sepse kemi derdhur djersën tonë.” – shprehen banorët.

Ata kanë paralajmëruar se do zhvillojnë protesta çdo ditë deri në fitimin e së drejtës së tyre, pasi sipas tyre është krejt e padrejtë që banorët që janë vetëm pak metra larg tyre të dëmshpërblehen siç ka ndodhur, ndërsa ata të nxirren përjashtë duarbosh.

“Këto shtëpi do i mbrojmë me gjak. Nuk do i lejojmë pronat tona. Ta dijnë mirë ata. I kemi paguar të gjitha detyrimet dhe jemi në proces legalizimi prej më shumë se 10 vitesh por na kanë mbajt peng.” – tha një tjetër protestues.

Protestës iu bashkua edhe deputetja e Partisë Demokratike, Tabaku, e cila shprehu mbështetjen e opozitës së bashkuar për kërkesat e drejta të banorëve.

Ajo tha se qeverisja e PD-së, i kishte dëmshpërblyer banorët që u ishte prishur banesa në dy segmentet e tjera ndërsa qeverisja e Ramës e kishte hequr krejt atë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *