Vendosni fjalën kyçe....

Vite dritë larg, Macron e Rama përballë protestuesve


Pasi u kthye nga Samiti i G20-ës në Argjentinë, presidenti francez Macron, zbriti në fushëbetejën e Parisit, ku Jeleket e Verdhë kanë disa ditë që protestojnë.

Një lëvizje që nisi si kundërshtim ndaj rritjes së çmimit të karburantit me disa centë, u kthye në një lëvizje më të gjerë ku tashmë protestuesit në qytetet kryesore të Francës kërkojnë “kokën” e Macron-it.

Përplasjet më të mëdha kanë qenë në Paris, ku dëmi i shkaktuar nga protestuesit është ende i pallogaritshëm, duke qenë se protesta nuk janë ndaluar.

Macron e dënoi dhunën e përdorur nga protestuesit ndaj pronës publike, private dhe forcave të rendit, megjithatë urdhëroi kryeministrin, Édouard Philippe, që të ulej në bisedime me një grup përfaqësuesish të Jelekëve të Verdhë si dhe me liderët e partive opozitare në vend për të gjetur një zgjidhje të mundshme.

Prej 30 ditësh, në Shqipëri po protestohet kundër prishjes së banesave në zonën e Unasës së Re e më pas kësaj proteste i janë bashkangjitur edhe banorë të Bregut të Lumit dhe Shkozës.

Sipas projektit 48 milionë eurosh të qeverisë, nga zgjerimi i rrugës prej sheshit Shqiponja deri ta Pallati me Shigjeta do prishen më shumë se 300 godina, kryesisht banesa ku jetojnë mijëra persona.

Protestuesit janë mbledhur çdo pasdite në zonën e Unazës së Re, ku kërkojnë dëmshpërblim të banesave të tyre dhe më pas prishjen e tyre.

Protestat kanë qenë të qeta ndërsa banorët kanë kërkuar që në krye të herës që kryeministri Rama, ose ndonjë prej institucioneve përgjegjëse të ulet me ta për të diskutuar dhe për të gjetur ndonjë zgjidhje të mundshme të problemit.

Por deri tani as kryeministri Rama, as ministri Gjiknuri dhe as kreu i ARRSH-së, Qendro nuk kanë zhvilluar ndonjë takim me protestuesit.

Ata janë mjaftuar duke bërë thirrje në media online e televizione, që protestuesit të lënë banesat e tyre dhe t’i hapin rrugë projektit duke pranuar ofertën e qeverisë për 3 vjet qera e banesa sociale.

Ndërkohë që Macron është ulur në bisedime me protestuesit, Rama bën humor nga foltorja e Kuvendit me ta duke u thënë të lirojnë banesat dhe t’i hapin rrugë projektit.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *