Vendosni fjalën kyçe....

Debati për Teatrin, Majko: Shkova i dhashë Ramës dorëheqjen, por ma mbushi mendjen (VIDEO)


Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “A show” të Adi Krastës, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi se pas debatit me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Teatrit Kombëtar, ai kishte paraqitur dorëheqjen.

“Unë të nesërmen shkova i dorëzova dorëheqjen.”, janë fjalët e Majkos.

Majko nuk pranoi të tregonte debatin, por tha se kishte një kontratë me Ramën për të mos bërë interesantin.

Ai shtoi se ndryshoi mendje për dorëheqjen pasi e bindi Rama si mik. Biseda për Teatrin nis në minutën 00:15 të videos së mëposhtme.

Kujtojmë se Pandeli Majko, doli kundër kryeministrit Edi Rama në korrik dhe nuk e votoi projektligjin për shembjen e teatrit Kombëtar dhe vënien e truallit të tij në dispozicion të firmës private “Fusha.Shpk.”.

Madje edhe një video qarkulloi në rrjet ku Majko shihet teksa debaton me Ramën dhe në fund çohet fare nga karrigia dhe del jashtë Kuvendit.

Biseda në studio:

Krasta: Çfarë frazash janë shkëmbyer mes teje dhe kryeministrit në Parlament për çështjen e Teatrit Kombëtar? Çfarë i the dhe çfarë të tha?

Majko: Pse duhet ta them tani?

Krasta: Për interes të publikut.

Majko: Por nuk më duket me kaq interes.

Krasta: Ka pasur një shkëmbim batutash?

Majko: Sigurisht që kemi shkëmbyer batuta, dallohet qartë edhe në Tv, nuk besoj se përbën një sekret kjo.

Krasta: Pse psh, pse nuk dëshiron tani të thuash çfarë i the dhe çfarë të tha?

Majko:  Kam një kontratë me kyeministrin. S’duhet të bëj interesantin më shumë se ç’duhet.

Krasta: Ti ia lejon kryeministrit të bëjë interesantin më shumë se ç’duhet?

Majko: Në marrëdhënie me?

Krasta: Në marrëdhënie me ty ose të tjerët.

Majko: Unë në radhë të parë e kam mik. Kjo është arsyeja pse jam në qeveri, kjo është arsyeja pse pranova të bëhem ministër dhe pa më thënë.

Krasta: I ke bërë ndonjë pyetje vetes Pandi, pse kryeministri ka ndaj teje një sjellje relativisht, si me thënë jo domosdoshmërisht të përulur, por të kujdesshme. Si me thënë me çfarë mund ta kishe trembur ti atë?

Majko: Me asgjë. Unë të nesërmen shkova i dorëzova dorëheqjen.

Krasta: Të cilën ai nuk e pranoi duke thënë çfarë?

Majko: Unë nuk kisha ndërmend të pranoja mospranimin e tij, por boll disa fjalë që nuk vinin nga kryeministri, por vinin nga Edi, që unë te thashë e kam mik, më ndryshuan mendjen.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *