Ditën e djeshme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u akuzua për plagjiaturë në punimin e diplomës me të cilën ka fituar gradën “Doktor”.
Akuza erdhi nga lëvizja “Për Universitetin”, që publikoi edhe pjesët e marra prej ministres në punimin e saj. Në një reagim të gjatë, ministrja Manastirliu shkruante se akuza ndaj saj ishte false ndërsa dhe se emri i saj po përdorej në mënyrë dashakeqe.
Ajo theksonte se në punimin e saj bëhej fjalë vetëm për disa pasazhe të marra dhe të cituara.
Por sot lëvizja “Për Universitetin” ka publikuar një tjetër material të përdorur nga Manastirliu ndërsa janë të gjitha përkufizimet se kur një material apo punim quhet plagjiaturë.
“Plagjiatura merr forma të ndryshme, siç i liston faqja e Oxford University [3], si më poshtë:
- Përdorimi fjalë për fjalë i një fjalie apo teksti pa përdorur thonjëza (çka evidentojnë se togfjalëshi është citim, si rasti në fjalinë më sipër) dhe pa përmendur burimin.
- Prerja dhe hedhja (copy-paste) e materialit nga interneti, përsëri, pa përmendur burimin.
- Parafrazimi i punës së dikujt tjetër vetëm duke ndryshuar pak fjalë, por pa ndryshuar linjën e tyre të argumentimit, e sigurisht pa e përmendur autorin.
- Vetë-plagjiarizëm, kur përdor të njëjtat ide dhe argumente duke “kopjuar” punën tënde të mëparshme.
Nëse i rikthehemi rastit të doktoraturës së Manastirliut, ajo ka përkthyer FJALË PËR FJALË paragrafët e diplomantit Fannie Mnisi, pa e përmendur askund emrin e tij në referenca. Kështu, ndërkohë që Mnisi ka shtjelluar me fjalët e veta përfundimet në të cilat kanë arritur studiues të tjerë para tij, që i shërbejnë punës së tij, duke i përmendur studiuesit në tekst dhe në referencat në fund, ministrja i ka rënë shkurt duke përvetësuar këtë shtjellim e duke e kaluar si të sajin.
Në këtë rast, plagjiatura nuk është ndaj studiuesve që citohen, por ndaj Fannie Mnisit që ka bërë sintetizimin e ideve apo përfundimeve të tyre.” – shkruhet në reagimin e lëvizjës “Për Universitetin”.