“Po si ka mundësi që sot ne çojmë 66 ushtarakë në Kabul, dhe Kabuli ka unazë. Kabuli sot ka unazë. Ka terroristë, ka talebanë, ka dhunë, ka autobomba, por ka unazë. Ne në Tiranë diskutojmë të çojmë paqeruajtës në Kabul, dhe s’kemi unazë”.
Kjo ka qenë deklarata e sotme e Veliajt në lidhje me protestën e “Unazës së Re” gjatë një aktiviteti të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
“A ka mundësi shoqëria jonë të mësoja nga ushtarakët, që njeriu pavarësisht vështirësive ka dinjitet, i thotë vetes qytetar, nuk i shkel shoqërisë dhe nuk i kërkon shoqërisë detyrime që shoqëria nuk ia ka. Sot shikoja që teksa po vazhdon progresi i qytetit, njerëz të cilët thonë ‘duam paret tona’. Paret e kujt? Në momentin që ke bërë 8 shtëpi pa leje, ne kemi detyrë të të strehojmë, se 7 të tjerat po i jep me qira. Sot nuk mundet shoqëria të të japë fitimin e munguar të diçkaje që e ke marrë me pa të drejtë, se po të ishte për këtë, atëherë do të ishin ushtarakët të parët. Ushtarakët që nuk zaptuan, që nuk i ranë njeriu më qafë, që i kanë shërbyer çdo qeverie të majtë e të djathtë në të gjitha kohërat, me orar e pa orar dhe për sa kohë që ushtarakët nuk e bëjnë këtë, atëherë askush tjetër nuk ka gojë të kërkojë diçka nga shoqëria, që shoqëria nuk ia ka borxh”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.