Qindra studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës, vijojnë protestën e tyre.
Ata kanë nëshkruar një peticion kundër tarifës së re prej 60 mijë lekësh dhe kanë deklaruar se nuk do e paguajnë atë.
Studentët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë deklaruar se do e vijojnë protestën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ata kanë theksuar se nuk do e paguajnë tarifën për provimet e mbartura deri në datën 15 dhjetor, që është afati.
“Tarifa është gjobë e papërballueshme. S’e paguajmë gjobën e qeverisë. Edhe studentët më të mirë mbartin provime. Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga kërkesat tona dhe nuk do e paguajmë tarifën në datën 15 dhjetor. Duam shkollim dhe punësim.” – kanë deklaruar ndër të tjera ata gjatë protestës.
Studentët kanë zhvilluar një protestë para rreth dy javësh para Kryeministrisë, ku kërkuan uljen e tarifave studentore. Ata prej kohësh kanë kundërshtuar tarifat e studimit në Universitetet publike.