Ditën e sotme, studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës kanë bojkotuar sot mësimin dhe janë ngritur në protesta.
Këta studentë, kanë tre kërkesa:
- Heqjen e pagesës për kredite të provimeve të mbartura.
2. Shtyrjen e afatit të pagesës së tarifës vjetore.
3. Pagesën me këste të tarifës.
“Lëvizja për Universitetin” i është bashkuar protestës së të rinjve duke e konsideruar si të drejtë kërkesën e tyre.
“Lëvizja Për Universitetin dhe aktivistë të saj i janë bashkuar dhe solidarizohen me kërkesat e tyre, pasi universiteti duhet të jetë në bazë të meritës dhe jo parave. Universiteti banohet nga studentët, prandaj studentët duhet të vendosin!”, thuhet në njoftim.
Përmes pankartave me mbishkrimin “Hiqni gjobën 650 lekë/krediti për provimet e mbartura”, studentët kundërshtojnë pagesat shtesë për provimet.
Belind Këllici, kreu i FRPD-së, i është bashkuar protestës së studentëve, ndërsa shprehet kundër pagesës shtesë për provimet e mbartura.
“Studentet e Fakultetit te Inxhinierise se Ndertimit & Arkitektures dhe Urbanistikes ne proteste kunder rritjes se tarifave nga shteti. Sikur mos mjaftoje tarifa aktuale vjetore, tashme studentet duhet te paguajne minimalisht 60.000 leke te vjetra per cdo provim te mbartur. Praktikisht ata duhet te paguajne dy here per te njejtin provim.”, shkruan Këllici.