Vendosni fjalën kyçe....

“Burrë e grua ishin për vizitë te vajza”, dalin detajet nga aksidenti në Korçë, arrestohet shoferi


Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin që ndodhi një ditë më parë, në aksin kombëtar Korçë-Pogradec, ku dy të moshuarit Sami dhe Vjollca Shaholli humbën jetën.

Mësohet se aksidenti ka ndodhur vetëm pak metra larg shtëpisë së dhëndrit të të moshuarve, ku kishin shkuar për të vizituar vajzën e tyre.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:30, ku çifti u përplas nga një makinë “Benz”, tip fuoristradë, në afërsi të fshatit Pocestë.

Dy të moshuarit nga fshati Voskop, 70 dhe 63 vjeç, kanë tentuar të kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur janë goditur nga fuoristrada me targa AA 244 NE e drejtuar nga shtetasi Sotir Nikolla, 63 vjeç, i cili lëvizte nga Korça në drejtim të Pogradecit.

Çifti i të moshuarve është transportuar në spital, por kanë ndërruar jetë sapo kanë mbërritur atje.

“Më datë 04.12.2018, në orën 17:26, jemi njoftuar se në aksin rrugor Korçë-Maliq, në afërsi të fshatit Pocestë, shtetasi S.N., 63 vjeç, duke drejtuar mjetin tip ‘Benz’ ka aksidentuar 2 shtetas, (një burrë dhe një grua) kalimtarë në rrugë, të cilët janë transportuar në Spitalin e Korçës, ku edhe kanë ndërruar jetë. Drejtuesi i mjetit ndodhet i shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, bënte me dije dje Policia.

Ndërkohë sot, policia njofton se e ka arrestuar drejtuesin e fouristradës.

“Arrestimi i tij u bë pasi, në aksin rrugor Korçë-Maliq, në afërsi të fshatit Vloçisht, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar me pasojë vdekje shtetasin S.Sh, 70 vjeç dhe bashkëshorten e tij shtetasen V.Sh, 60 vjeçe, banues në fshatin Voskop, kalimtarë në rrugë”,  informon policia.

Paraprakisht policia dyshon se drejtuesi i mjetit Sotir Nikolla, ka qenë tej normave të lejuara të shpejtësisë. Megjithatë dyshohet se edhe errësira në rrugë ka ndikuar si shkak për aksidentin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *