Protestës së studentëve të Tiranë i janë bashkuar edhe studentët e Durrësit dhe ata të Elbasanit. Ata kanë bojkotuar mësimin dhe kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.
Studentët e Elbasanit kanë deklaruar se nuk do tërhiqen nga kërkesat e tyre të drejta ndërsa kanë thënë se Ministria e Arsimit është kthyer në biznes.
“Jemi këtu për kërkesat tona të drejta dhe i jemi përgjigjur thirrjes së studentëve të Tiranës për protestë. Nuk kemi ndërmend të dorëzohemi përballë asgjëje.
Duam uljen e tarifave të studimit dhe heqjen e tarifës për provimet e mbetura. Ministria e Arsimit është kthyer në biznes.” – thërrasin ata.
Ata kanë deklaruar se do e vijojnë bojkotimin e mësimit deri në plotësimin e kërkesave. Ministrja Nikolla ka deklaruar se është e gatshme që të ulet në bisedime me studentët por këta të fundit e kanë refuzuar dhe presin një përgjigje për kërkesat e tyre nga ana e ministres brenda ditës së sotme.