Templates by BIGtheme NET

5 vatra protestash në Tiranë, a duhet të shqetësohet Edi Rama?

Pesë grupe të ndryshme janë ngritur në protesta kundër qeverisë Rama. Kemi banorët e Astirit që prej 3 nëntorit, ata të Bregut të Lumit, të Shkozës, artistët po e po që prej muajit shkurt të këtij viti, ndërsa janë shtuar edhe studentët.

Me kaq shumë protestues, mos vallë ka ardhur momenti që kryeministri Rama të fillojë të shqetësohet, pasi karrigia dhe tepsia e tij janë vënë në rrezik?

Artistët

Që prej muajit shkurt të këtij viti, artistët kanë qenë vazhdimisht në protesta, për të kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar.

Kryeministri Rama përmes një ligji të veçantë, kërkon t’i dhurojë truallin e Teatrit Kombëtar një kompanie private, asaj Fusha.shpk.

Presidenti i Republikës e ka kthyer në Kuvend disa herë ligjin për Teatrin, miëpo mazhoranca nga ana tjetër e ka rrëzuar dekretin e tij.

Edhe pse u hoq tabela kryesore ‘Eja në teatër’, dritat e jashtme dhe u zhdukën prozhektorët e Teatrit, për të përgatirut terrenin për shembjen e godinës, artistët nuk u ndalën. Çdo ditë ata protestojnë pranë Teatrit, ndërkohë që i janë bashkuar edhe protestave të banorëve të Astirit, së fundmi edhe të studentëve.

 

Banorët e Astirit

Që prej 3 nëntorit, banorët e Astirit u ngritën në protestë pas një njoftimi që u erdhi se kishin 2 javë kohë për t’u larguar nga banesat e tyre të cilat do shemben në kuadër të pojektit të Unazës së Madhe.

Qeveria dhe bashkia parashikojnë të prishin më shumë se 300 banesa dhe biznese për zgjerimin e segmentit rrugor nga “Shqiponja” te “Pallati me Shigjeta”.

Protestat u përshkallëzuan në djegien e gomave, hedhjen e shashkave dhe arritën kulmin të enjten e 22 nëntorit kur protestuesit u mblodhën përpara Kuvendit. Pati një përplasje mes protestuesve dhe policisë dhe nga të dyja palët u shënuan të plagosur.

Kërkesa e këtyre banorëve është një: Dëmshpërblim 100% për pronat e tyre, si pëe ata që i kanë të legalizuar, edhe pë rata që nuk i kanë.

Prej një jave tashmë, pamja në zonën e Astirit është tjetërsuar. Pemët janë prerë, shtyllat e ndriçimit janë hequr tinëzisht gjatë natës, madje banorëve u është ndërprerë edhe furnizimi me ujë dhe me energji elektrike.

Punonjësit e bashkisë dhe IMT-së po përgatitin terrenin për të shembur banesat, njëlloj siç vepruan me Teatrin.

Pak ditë më parë, të frymëzuar nga protestat në Francë, protestuesit u veshën me jelekë portokalli, duke i dhënë kështu shenjë qeverisë që s’kanë ndërmend të ndalen.

Bregu i Lumit

Banorët e Bregut të Lumit janë përballur me të njëjtën situatë si ata të Astirit. Ata janë lajmëruar nga një inspektor i INUV-it që të lirojnë banesat e tyre brenda një afati 10-ditor pa asnjë të dhënë lidhur me trajtimin financiar të tyre. Bëhet fjalë për 44 banesa ku jetojnë më shumë se aq familje.

Banorët e Bregut të Lumit, preken nga zgjatimi i “Bulevardit të Ri”, që pasi është ndërtuar në 3 segmentet e para të tij do shtrihet edhe në segmentin e katërt deri në Bregun e Lumit.

Edhe pse qeveria i ka dëmshpërblyer plotësisht banesat e prishura në 3 segmentet e para të Bulevardit të Ri, që nis te ish-stacioni i trenit dhe përfundon në Bregun e Lumit, nuk po bën të njëjtën gjë me segmentin e fundit, pavarësisht se kushtet janë të njëjta.

Shkoza

Mëngjesin e 3 dhjetorit, punonjësit e IMT-së shkuan me mjete të rënda për të prishur banesat në Shkozë.

Mirëpo banorët e kësaj zone, janë ngritur në protesta për të mos lejuar IMT-në të vazhdojë punën.

“Ne nuk duam të konfliktohemi as me policinë as me IMT-në, por këta e kanë ndryshuar projektin tre herë. Ne nuk jemi kundër projektit, duam vetëm lekët e atyre tullave që kemi hedhur”, tha njëri prej protestuesve.

Të nesërmen, punonjësit e IKM-së kanë përfituar nga errësira e mbrëmjes, për të shembur banesën e parë.

Si rezultat pati një përplasje mes banorëve dhe policisë. Këtyre banorëve u ka mbërritur vetëm një njoftim pa asnjë vulë gjë që nuk i jep asnjë siguri, as për dëmshpërblim, as për përfitim të bonusit të qerasë aq shumë të promovuar nga qeveria.

Banorët e Shkozës protestuan edhe një vit më parë, por qëndresa e tyre u shua për t’u rindezur sërish këtë dhjetor.

Studentët

Me protestën e djeshme, studentët vërtetuan edhe njëherë se “dhjetori është i tyre”. Të parët studentët e Arkitekturës e më pas u bashkuan edhe ata të fakulteteve të tjera, për t’u mbledhur sëbashku para Ministrisë së Arsimit.

Studentët nisën marshimin nga fakultetët e tyre, duke bllokuar qarkullimin në zemër të Tiranës. Studentët e Fakultetit të Shkencave bllokuan për pak aksin nga ish-stacioni i Trenit në qendër, për tu zhvendosur më pas te Rruga e Durrësit. Ata të inxhinierisë dhe të arkitekturës u nisën nga zona e “21 dhjetorit” te Zogu i Zi e më pas për t’u bashkuar me shokët po te rruga e Durrësit.

Studentë nga fakultete të tjera zgjodhën të lëviznin nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Edhe pse ministrja e Arsimit Lindita Nikolli, i ftoi për negociata studentët nuk panuan port ë gjithë sëbashku i rrethuan ministrinë. Kështu dje, kryeministri Rama e mori goditjen mu në zemër të kryeqytetit. Dhe nuk mbaron me kaq. Studentët paralajmërojnë përsëri sot protesta.

Kërkesat e tyre janë tre:

1.Heqja e pagesës për kredite të provimeve të mbartura.
2. Shtyrja e afatit të pagesës së tarifës vjetore.
3. Pagesa me këste të tarifës.

Sikur këto grupe të bëhen në një dhe t’u bashkohen kategori të tjera si naftëtarët, minatorët, pensionistët etj, do ishte një skenar i papërballueshëm për qeverinë./Hashtag.al

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto