Të paktën tre parti të krahut të majtë në parlamentin francez kanë rënë dakord të kërkojnë një votë mosbesimi kundër qeverisë.
Kjo lëvizje vjen mes protestave gjithëpërfshirëse, kundër politikave të presidentit Macron, të cilat kanë kapluar vendin.
Midis atyre që planifikojnë të vënë në dyshim udhëheqjen e Emmanuel Macron është partia “La France Insoumise”, udhëheqësi i së cilës Jean-Luc Melenchon ka qenë prej kohësh një kritik i zëshëm i qeverisë së tanishme.
“Partia Komuniste Franceze” dhe “Partia Socialiste”, janë gjithashtu pjesë e planit në kërkesën për votëbesim.
“Ne kemi vendosur të punojmë së bashku për të paraqitur një votim mosbesimi të hënën e ardhshme. Gjatë ditëve të ardhshme, ne do të përpiqemi të rrisim numrin e nënshkruesve.” – shkruante në “Twitter” sekretari i parë i Partisë Socialiste, Olivier Faure
Megjithatë, votimi nuk ka gjasa të ndryshojë peizazhin politik në parlament, pasi Macron ka një shumicë kushtetuese. Partia e tij “LREM” mban mbi 300 nga 577 vende në Asamblenë Kombëtare. Treshja e partive që kanë vendosur të kërkojnë votëbesimin, kanë vetëm 57 vende.