Pavarësisht kërcënimeve që studentët e Elbasanit kanë marrë për të mos iu bashkuar protestës studentore, ata sërish po zhvillojnë protestën e tyre paralelisht me atë që po bëhet në Tiranë.
Studentët në Elbasan kërkojnë anulimin e menjëhershëm të vendimit të Këshillit të Ministrave, që i detyron të paguajnë tarifë shtesë për provimet e mbartura.
Me parrullën “S’jemi monedha, jemi studentë”, qindra studentë kanë marshuar drejt Universitetit të Elbasanit.
“Nuk jemi vetëm për kreditet por këtu jemi edhe për përmirësimin e arsimit në Universite, jemi për përmirësimin e kushteve, jemi për lehtësirën e tarifave. Sepse me këto tarifa nuk ia dalim dot!”, tha një student i Universitetit të Elbasanit.
Ata i kanë vënë ultimatum Ministrisë së Arsimit për plotësimin e kushteve deri në orën 16.00 të ditës së sotme.
- Përgjysmimi tarifave
- Heqja e tarifave shtesë
- Përmirësim i kushteve
- Përfaqësim në vendimarrje për studentët.
Më herët u raportua se studentët e këtij universiteti, ashtu edhe ata të Shkodrës janë kërcënuar me mungesa nga stafi drejtues, sado që një pjesë e studentëve dhe e pedagogëve e kanë braktisur mësimin duke mos rënë pre e kërcënimeve.