Studentët nuk janë ndalur me plotësimin e vetëm një prej kërkesave të tyre. Sikurse paralajmëruan edhe një ditë më parë, ata do të dalin sërish sot para Ministrisë së Arsimit, për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tjera.
Protesta nis në orën 10:00 ndërsa është publikuar paraprakisht edhe një këngë. Këtë radhë studentët do të këndojnë himnin e tyre të protestës.
“Nesër në mëngjes, ora 08:00, bojkotojmë mësimin në çdo fakultet/universitet! Në orën 10:00 bashkohemi e protestojmë të gjithë para Ministrisë së Arsimit! Nuk ndalemi deri në realizimin e plotë të kërkesave! Thërrasim, këndojmë e protestojmë të gjithë së bashku”, thuhet në njoftimin e studentëve ku bëhet publike edhe kënga.
4 kërkesat e studentëve janë:
1. Anulimi i VKM për tarifa shtesë.
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit.
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
4. Bordi i Administrimit të ketë̈ numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë se Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentet në bord.
KËNGA:
– Pushtetarë dhe burokratë,
Arrogantë dhe injorantë!
Ju na prishët ëndrrat tona,
Me tarifa dhe kartona!
Ne ju prishim gjumin tuaj,
Ju për ne jeni të huaj!
Dhunë kredie për kredite
Dhunë reforme, gjendje krize!
Jam student, jemi studentë,
Nuk kam çmim, s’jemi klientë!
Mjaft i zhvatët xhepat tanë,
Ne nuk jemi bankomatë!
Për reforma dhe tregtarë,
Që gjithçka na e kanë marrë!
Që na lënë në varfëri,
Pa punë, pa dije, pa rini!
Jo kredi për kredite,
Po zerim të çdo tarife!
S’duam zhvatje, s’duam borxhe,
As pazare për bixhoze!
Për bixhoze burokratësh,
Pushtetarësh dhe privatësh!
Jo mo jo, më nuk durohet,
Në mjerim më nuk jetohet!
Po do ngrihem do bashkohem,
Jam rini që revoltohem!
***
– Nuk paguaj, nuk paguaj,
Asnjë lek për krizën tuaj!
Nuk paguaj vërtetime,
As tarifa, as kredite!
Nuk paguaj për dekanin,
S’jam haraç për rektoratin!
Nuk paguaj korruptimin,
Kompromisin dhe mashtrimin!/Hashtag.al