Ministrja Nikolla u ka dërguar një letër zyrtare studentëve që protestojnë para godinës së Ministrisë së Arsimit, ku u kërkon që të bëhen pjesë e procesit për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Sipas Nikollës, do ngrihen grupe pune për të trajtuar kërkesat e studentëve, por studentët e kanë hedhur poshtë letrën zyrtare dhe kërkesën e saj duke thënë se nuk do ketë negociata.
“Nuk ka negociata me ministren Nikolla. Nuk e pranojmë kërkesën e saj për grupe pune. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ministrja, por thjesht na janë dërguar kërkesat tona që kemi dërguar ne dhe asnjë përgjigje.” – thërrasin studentët jashtë godinës së Ministrisë së Arsimit.
Ata kanë paralajmëruar se protesta mund të përshkallëzohen në rast se kërkesat e tyre nuk marrin zgjidhje.
“Turp, turp. Nuk e dimë ku e gjejnë guximin që na dalin përpara. Po dridhen nga frika sepse jemi të shumtë në numër. Ne do i shkojmë deri në fund së drejtës sonë.” – thërrasin ata.