Vendosni fjalën kyçe....

Ylli Pjetërnikaj, shefi i Prokurorisë së Shkodrës që “shkëlqen” me dështimin e tij


Majtas prokurori Ylli Pjetërnikaj, djathtas kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku

Qyteti i Shkodrës ende është nën pushtetin e krimit, kjo edhe për shkak të dështimit spektakolar të institucioneve hetimore që veprojnë në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë. Gjatë periudhës verë-vjeshtë 2018, në Shkodër kanë ndodhur rrëmbime e vrasje të bujshme, të cilat vijojnë të jenë të gjitha pa autor.

Rritja e valës së krimit dhe ulja e ndjeshme e rendimentit të organeve hetimore përkon me caktimin në krye të Prokurorisë së Shkodrës të Ylli Pjetërnikës. Një prokuror i ri dhe pa asnjë përvojë menaxhuese, Pjetërnikaj u caktua nga Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Ylli Pjetërnikaj përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2014 dhe fillimisht u caktua prokuror në Tropojë. Më pas, në vitin 2016, u emërua në Prokurorinë e Tiranës. Si një prokuror pa përvojë, atij i caktoheshin hetime të thjeshta, kryesisht për vjedhje pa autor apo për “prostitucion online”.

Kur në postin e Prokurorit të Përgjithshëm (të Përkohshëm) u vendos Arta Marku, i ndriti fati edhe Pjetërnikajt, i cili përmbushte një prej “kritereve” thelbësore-atë të faktit që është nga e njëjta zonë gjeografike me shefen e tij të madhe.

Fillimisht, Arta Marku e afroi në Prokurorinë e Përgjithshme, në strukturën që u krijua për të kryer verifikimin formal të kolegëve të tjerë, të cilët po përgatiteshin për procesin e Vetingut. Në fillim të qershorit 2018, karriera e Pjetërnikajt shënon kapërcimin më të madh, aq sa edhe ai vetë vështirë se do e ketë besuar kur i është propozuar drejtimi i prokurorisë më të madhe në Veriun e Shqipërisë, asaj të Shkodrës.

Caktimi i tij si drejtues është realizuar në shkelje të plotë të ligjit, pasi nuk plotësonte kriteret për këtë pozicion. Më së pari, ai nuk kishte vjetërsinë në punë dhe përvojën e duhur për menaxhim, mangësi të cilat po reflektohen në përkeqësimin e situatës kriminale në qytetin e Shkodrës.

Arta Marku nuk dihet se në bazë të cilëve kritere i ka besuar Ylli Pjetërnikajt detyrën e drejtuesit të Prokurorisë. Ai, së pari, nuk plotëson kriterin e vjetërsisë në detyrë për të marrë këtë pozicion. Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2016, kërkon që drejtuesi që zgjidhet duhet të ketë të paktën 7 vjet në funksion. Në momentin e caktimit si drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, Pjetërnikaj kishte vetëm 4 vjet si prokuror.

Gjithashtu, ligji kërkon që drejtues të zgjidhen ata prokurorë që kanë aftësi menaxhuese, organizative dhe administrative. Ylli Pjetërnikaj nuk ka pasur asnjëherë detyrë organizative, por, në 4 vitet e karrierës së tij, ka qenë gjithnjë prokuror i thjeshtë, nën varësinë e drejtuesve të prokurorisë së Tiranës.

 

E, megjithatë, ai arriti të marrë një firmë nga Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, për t’u caktuar si drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, një detyrë në të cilën po “shkëlqen” me dështimin e tij.

Gjatë këtyre muajve që ai drejton trupën e prokurorëve të Shkodrës, në zonat më të frekuentuara të qytetit kanë ndodhur vrasje mafioze, janë zhdukur në mes të ditës disa persona, grupet rivale vijojnë të sulmojnë njëri-tjetrin e të terrorizojnë banorët.

Vetëm Prokuroria e Shkodrës, ashtu si edhe Policia e këtij qyteti, nuk po arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndodh. Natyrisht, nuk pritet të zgjidhë problematikën e kriminalitetit të Shkodrës një riosh si Ylli Pjetërnikaj, të cilit akoma nuk i ka dalë entuziazmi i emërimit të papritur si drejtues prokurorie./Hashtag.al

Vendngjarja e një prej ekzekutimeve në Shkodër (muajt e fundit kanë ndodhur 7 ekzekutime dhe 2 persona janë zhdukur)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *