Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Astirit largohen nga protesta, pranojnë kushtet: Vijmë radhën tjetër!


Banorët e Astirit të cilët iu bashkuan sot protestës së studentëve, janë larguar nga rruga e Durrësit duke i lënë studentët të protestojnë vetëm.

Ata u paraqitën rreth një orë më parë para Ministrisë së Arsimit, por studentët i kërkuan të largohen, edhe pse ishin ata që i kishin ftuar.

”Ne po largohemi. Uroj që kauza juaj të gjejë zgjidhje. Edhe e jona, se shtëpinë e kam ndërtuar me djersë.”, tha një nga banorët.

Ndërsa një tjetër tha: “Jemi më të fortë të bashkuar. Të ndarë ata na mbysin. Paandaj kemi ardhur. Do vijmë përsëri sipas kushteve tuaja.”

Studentët janë shprehur se i pranojnë të gjithë, qoftë protestues të Astirit, Bulevardit të Ri, etj., por vetëm si studentë, si prindër, gjyshër, pasi protesta është vetëm e tyrja.

“Ata mbështeten nga opozita dhe opozita në çdo moment tenton të bashkohet me ne, por kjo mund të bëjë që kauza jonë të politizohet”, tha një nga studentët.

“Kemi ardhur vetëm për kauzën tuaj, nuk na intereson politika as juve as neve”, tha një nga banorët e Astirit. “Kemi ardhur vetëm në mbështetjen tuaj, na thirrët dhe ne erdhëm”, vazhdoi më tej banorja.

 “Kjo është mbështetja më e madhe që po ju bëjnë. Ke naj politikan në mesin tonë? Sheh ndonjë? Ne kemi ardhur si prindër. Unë kam ardhur edhe pardje, me vajzën time.”, tha një nga zotërinjtë.

Mirëpo studentët ngulmojnë në mos përfshirjen e politikës në kauzën e tyre dhe uniformat portokalli për ta përbëjnë problem.

“Ku është gabimi? Te jelekët?! Ky ishte thjesht për të treguar se jemi banorë të kësaj zone.”, tha një tjetër banore.

“Më vjen keq. Ne ju pranojmë nëse përziheni me studentët, por jo të na vini kështu grup më vete”, iu përgjigj një djalë i ri zonjës.

Edhe pse banorët e Astirit i hoqen uniformat e tyre, studentët përsëri i kërkuan të largoheshin dhe të vinin ditën tjetër. Në fund të diskutimeve, banorët e Astirit u larguan me premtimin për të ardhur sërish ditën tjetër, por pa jelekët portokalli veshur. Në protestë qëndruan vetëm studentët që vinin nga kjo zonë.

Studentët nga ana tjetër, u premtuan banorëve të Astirit se edhe ata do t’u bashkoheshin, në rast se ata largonin individët politikë nga protesta e tyre, duke iu referuar deputetëve të opozitës.

Me mbërritjen e banorëve të Astirit, ishin shtuar dhe forcat e policisë pranë Ministrisë së Brendshme.

Kordoni i policisë  u rreshtua vetëm 10 metra nga protesta e studentëve për të mos lejuar banorët e Astirit të afrohen. Sapo ata u larguan, edhe policët u shpërndanë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *