Banorët e Unazës së Re kanë dalë sot sërish në protestë, në ditën e 35-të të qëndresës kundër prishjes së banesave të tyre. Ata kërkojnë dëmshpërblim për prishjen e banesave që preken nga zgjerimi i rrugës nga Sheshi Shqiponja deri te Pallati me Shigjeta.
Protestës së banorëve i është bashkuar edhe kreu i Partisë Demokratike, Basha, si dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në fjalën e tij, Basha, tha se prokuroria duhet të arrestonte ministrin e Infrastrukturës, Gjiknuri dhe kreun e ARRSH-së, Qendro.
“Këtu nuk është vetëm projekt vjedhjeje, por edhe një projekt pastrimi ndërkombëtar parash. Kjo është arsyeja pse ka nisur hetim SHBA. Po hetimi shqiptar ku është. E kam thëne edhe herë të tjera, që të burgosurit, janë politikë të Ramës, në atë qeveri nuk duhet të jetë Dorjani, por Damian Gjiknuri. Pse nuk fillon hetimi për personat që kanë ideuar këtë skemë korruptive pse nuk fillon hetimi, për Ramën që ka bërë bisedime kokë më kokë me “Dida X”. Nuk duhet të lini Prokuroren e Përgjithshme dhe vartësit pa një përgjigje.”, tha Basha.
“Shtëpia jonë, jeta jonë. Këtu vendosim ne. Shtëpiat tona i mbrojmë me gjak. Me gjakun tonë ushqehet krimi.” – thërrisnin banorët gjatë protestës.