Ashtu siç ishte lajmëruar më herët, protesta e Jelekëve të Verdhë ka përfshirë sot kryeqytetin francez Paris, duke shkaktuar përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Më shumë se 8 mijë policë dhe mjete të rënda kishin blinduar Parisin dhe rrethinat e tij teksa mijëra protestues dolën sërish në rrugë, me të tjera kërkesa ndaj presidentit Macron dhe qeverisë franceze si ulja e taksave dhe përmirësimi i kushteve të jetesës.
Më shumë se 1400 persona janë arrestuar në gjithë Francën, 700 prej të cilëve vetëm në Paris. Protestuesit i vunë flakën gjithçka u doli përpara ndërsa policia e pati tejet të vështirë që të mbante nën kontroll situatën.
Lëvizja e tyre ka gjetur jehonë edhe në Belgjikë e Holandë ku protestues të shumtë janë mbledhur në Bruksel e Amsterdam ku kërkojnë ulje taksash e përmirësim të kushteve të jetesës.
Autoritetet franceze kanë deklaruar se do përgjigjen ashpër ndërsa kanë theksuar se protesta po përdorej nga ekstremistët e djathtë për qëllimet e tyre.