Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhi i Metës për 8 dhjetorin: Inkurajoj rininë e sotme!


Me rastin e 8 dhjetorit, ditës së Rinisë në Shqipëri, presidenti i Republikës Ilir Meta, ka dhënë mesazhin e tij për rininë e sotme.

Ndërsa kujton gjithë studentët që 28 vite më parë vërshuan në rrugët e Tiranës për të sjellë demokracinë në vend, Meta inkurajon të rinjtë e sotëm.

“Mirënjohje të gjithë studentëve, të rejave e të rinjve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen që kumbonte nga gjokset e tyre rinore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Liri-Demokraci”, për të shndërruar 8 Dhjetorin në Ditën e tyre, Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë, Ditën e Europës.

Kujtojmë me nderim veprën e Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore, i cili me guxim, kurajë e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj, pedagogë e intelektualë, për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar.

Jehona e thirrjeve “Liri-Demokraci” dhe e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të 8 dhjetorit 1990 është ende një aspiratë, jo plotësisht e realizuar.

Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajën e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt të tyre në Shqipëri.”, shprehet presidenti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *