Rreth 200 shtetas grekë janë ndaluar sot të hyjnë në Kakavijë. Mësohet se ata ishin nisur për të marrë pjesë në meshën për të 40-tat e Kostandin Kaçifas.
Mes tyre janë edhe persona të cilët janë shpallur “non grata” nga Shqipëria. Mesha është caktuar të mbahet në orën 11:00 në fshatin Bularat të Gjirokastrës.
Edhe në Gjirokastër ka një prani të shtuar të policisë shqiptare dhe të forcave të antiterrorit, për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Ditën e djeshme, autoritetet shqiptare ndaluan hyrjen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës të një gazetari grek.
Panajotis Savidis, quhet gazetari i cili punon për gazetën greke “Protothema”, i cili është shpallur “non grata”.
Kujtojmë se minoritari Kostandin Kacifas u vra nga forcat RENEA më 28 tetor të këtij viti, gjatë një përleshjeje me armë zjarri, pasi ai kishte qëlluar me armë ndaj efektivëve.