Vendosni fjalën kyçe....

Skandali me tenderin e “Unazës së Re”, Gjiknuri: Nëse vërtetohet do zgjidhim kontratën


Pas publikimit të skandalit lidhur me falsifikimin e dokumenteve të firmës që fitoi tenderin për Lotin 1 te Unaza e Re, ka reaguar ministri i Infrastruktures dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Ministri përmend pezullimin e projektit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa shtoi se ka qenë ai vetë që u ka kërkuar autoriteteve amerikane të verifikojnë shqetësimin e bërë publik në media. Sipas Gjiknurit, autoritetet po e bëjnë detyrën duke pezulluar punën për Lotin 1.

“Atyre që duan të bëjnë politikë me Unazën e Re dhe kujtojnë se gjetën shtegun e revolucionit, pasi u katandisën me 100 protestues profesionistë të Bashkisë Kamëz nga mbrapa, u them kaq:

Ndryshe nga ju që kur qeverisnit shisnit Shqipërinë me letra fallco, sot autoritetet e shtetit po bëjnë detyrën. ARRSH ka pezulluar projektin për lotin nr.1.

Unë si ministër i jam drejtuar autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të shqetësimit të bërë publik në media. Kompania në fjalë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentat e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike.”, tha Gjiknuri.

Ndër të tjera ministri shtoi se nëse autoritetet amerikane konfirmojnë falsifikimin e dokumenteve, do reagojnë duke zgjidhur kontratën dhe do e çojnë çështjen në gjykatë.

“Në fillim-javën e ardhshme, presim përgjigjen e autoriteteve amerikane. Nëse përgjigja do të konfirmojë falsifikimin e dokumenteve nga kompania, atëherë padiskutim do të reagojmë menjëhere me zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe referimin e rastit pranë organeve të drejtësisë.

Ky është dallimi i madh mes nesh dhe jush. Ne nuk i fshihemi asnjë përgjegjësie shteterore dhe as kemi gjë për të fshehur. E thënë ndryshe, shqetësimi juaj është si të shisni baltë për të mbuluar të kaluarën tuaj, ndërsa qëllimi ynë është si të hapim rrugët e zhvillimit të Shqipërisë që ju rrënuat.”, tha Gjiknuri.

Firma “Dunwell Haberman” dyshohet se ka kryer dy falsifikime për të siguruar kontratën në Shqipëri.

Ka falsifikuar datën e krijimit; në Dalaëeare kompania figuron e regjistruar para 6 muajsh, në 25 qershor 2018, ndërsa në Shqipëri ka depozituar dokumente, sikur ekziston që nga qershori i 1998.

Dokumenti i dytë, që dyshohet të jetë falsifikuar, është një certifikatë e Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit. Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit Doug Denison, i tha Zërit të Amerikës, se për certifikatën nuk ka patur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument.

Dokumentet e faksifikuara dolën për herë të parë në Shqipëri, dy netë më parë,  gjatë emisionit Të Paekspozuarit”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *