Vendosni fjalën kyçe....

Studentët ultimatum Nikollës: Plotëso kërkesat ose do futemi në grevë urie


Studentët kanë nisur marshimin e tyre drejt Ministrisë së Arsimit. Ata u mblodhën fillimisht te sheshi “Nënë Tereza”, për t’u bashkuar te rruga e Durrësit me studentët e tjerë që ishin nisur direkt atje. Mirëpo ata shmangën kalimin nga godina e Kryeministrisë.

“E shmangëm kryeministrinë se nuk është  një protestë politike, është një protestë për të drejtat e tyre studentore”– është shprehur një nga protestuesit.

Ditën e sotme, këta studentë kanë paralajmëruar ministren Nikolla, se do të futen në grevë urie në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre.

“Nëse nuk plotësohen të gjitha kërkesat, protesta do të përshkallëzohet dhe do të futemi edhe në grevë urie”, janë shprehur studentët.

Mes pankartave të tyre, dallon njëra tek e cila studentët i kujtojnë ministres Lindita Nikolla vajzën e saj, e cila e ka kryer masterin jo në Shqipëri, por në Francë.

“Lindita Nikolla, vajza juaj këtu studion?”, shkruhet mbi pankartën ku studentët shprehin zhgnjimin e tyre ndaj ministres, që vajzën e saj e ka dërguar për studime jashtë shteti, duke ditur kushtet që universitetet këtu ofrojnë.

Të tjera mesazhe përcjellin studentët me pankartat e sotme, ndërsa bëjnë thirrje për arsim publik falas. “Lindita Nikolla, dil në Bulevard. Shkolla është e jona, jo biznes privat”, është një tjetër thirrje drejtuar ministres Nikolla.

Ndërkohë ditën e djeshme, kujtojmë se studentët i përmendën ministres edhe mesataren e saj në universitet, pas dokumentit që qarkulloi ku thuhej se mesataren e kishte 5.9 në degët e specialitetit tek Shkencat e Natyrës, mesatarja e përgjithshme e ministres ishte 6.8, dhe ajo në degët shoqërore 7.2.

Sakaq, në rrjet po qarkullon videoja e cila padyshim mund të quhet videoja e ditës. Edhe pse studentët kanë vështirësuar qarkullimin, shoferët e makinave u kanë rënë borisë jo për t’u ankuar, por për t’i përshëndetur dhe për t’u dhënë kurajo për qëndresën e tyre.

Madje shoferi i një autobusi përveç përshëndetjes me bori, ka ndaluar në rrugë dhe ka shtërnguar duart me të rinjtë si një shenjë solidarizimi.

Studentët protestues padyshim kanë fituar simpatinë dhe mbështetjen e qytetarëve. Jo më larg se dje kujtojmë rastin e një zonje, e cila u solli ushqim të rinjve që protestonin nga mëngjesi deri pasdite vonë.

Protesta e sotme nën sloganin “Dhjetori i dytë” përkon edhe me me 8 dhjetorin, lëvizjen studentore të 1990-ës dhe të rinjtë e FRPD-së pritet të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të kësaj dite.

Kërkesat vazhdojnë të jenë po të njëjta:

1.Anulimi i VKM për tarifa shtesë.
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit.
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
4. Bordi i Administrimit të ketë̈ numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë se Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentet në bord.

Kryeministri Edi Rama bëri disa përpjekje ditën e djeshme për të ndalur protestën pduke zbutur studentët, por nuk e arriti qëllimin.

Fillimisht i ftoi për bisedime në zyrën e tij e më pas nisi të publikonte video nga konviktet për të treguar se ka nisur punën për ndërtimin e konvikteve me kushte shumë të mira për ta.

Studentët nga ana tjetër janë të vendosur dhe do të protestojnë derisa kërkesat e tyre të plotësohen./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *