Dhjetëra banorë të Unazës së Re janë mbledhur mëngjesin e sotëm pranë kantierit të kompanisë Salillari.
Ata kundërshtojnë vijimin e punimeve në segmentin nga Sheshi Shqiponja te Pallati me Shigjeta, njëri nga lotet e të cilit është pezulluar pas publikimit të falsifikimit të dokumenteve në tender.
Banorët shprehen se nuk do e lejojnë kompaninë që të kryejë punime në Unazën e Re. Ditën e djeshme, ata vijuan protestën në ditën e 36-të të qëndresës.
Ata kanë deklaruar se shhtëpitë do i mbrojnë me gjak dhe se do u vënë flakën kompanive që do shkojnë për t’u prishur banesat. Edhe natën e mbrëmshme, banorët e Unazës së Re, i kanë përzënë punonjësit e kompanisë që po kryenin punime natën.
4 ditë më parë, në emisionin “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi, u publikua falsifikimi i dokumenteve për njërin nga 3 lotet e Unazës së Re, që pritet të kushtojë 48 milionë euro për një gjatësi prej 2.2 kilometrash rrugë, segment ku parashikohet të prishen qindra banesa e biznese.