Protstën e studentëve e ka mbështetur edhe Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë, të cilët me anë të një deklarate për shtyp, shprehen se vlerësojnë maksimalisht protestën e tyre.
Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë, deklaron se pa më të voglin dyshim, jemi për atë që kërkesat e tyre, plotësisht legjitime, duhet të zgjidhen nga institucionet përkatëse, sa më parë që të jetë e mundur.
DEKLARATË PËR SHTYP
Ne, Fasonistët e Shqipërisë, me anë të kësaj deklarate për shtyp, vlerësojmë maksimalisht mënyrën qytetare dhe vecanërisht paqësore të protestuesve universitarë shqiptarë.
Pa më të voglin dyshim, jemi për atë që kërkesat e tyre, plotësisht legjitime, duhet të zgjidhen nga institucionet përkatëse, sa më parë që të jetë e mundur.
Rinia studentore shqiptare, ishte ajo që i dha grushtin përfundimtar diktaturës komuniste, fiks 27 vite më parë.
Edhe sot, rinia studentore, si pjesa më e pastër e elitës së kombit do të dijë të ecë vet drejt, në rrugëtimin shembullor që ka ndërmarrë tash e disa ditë.
Ne i mbështesim dhe i inkurajojmë ata për të gjitha kërkesat legjitime që kanë shpalosur derimë tani, sikurse jemi pro cdo reforme rrënjësore që tenton t’u vijë realisht në ndihmë shtresave shoqërore të margjinalizuara të shoqerisë sonë, aktualisht të polarizuar ekstremisht.
Shkollimi dhe arsimimi në Shqipëri nuk duhet të jenë privilegj vetëm i fëmijëve që janë në gjendje ekonomike të mirë, por i të gjithë fëmijëve shqiptarë, papërjashtim.
Në qoftë se do të bëhej një reformë demokratizuese në arsim e kjo të kombinohej me politika afatgjata punësimi e shoqëruar me një program konkret për hapjen e ekonomisë së tregut drejt të bërit biznes të pastër, me incentiva lehtësuese, veçanërisht për të rinjtë, do të kishim shumë më pak rrjedhje të rinisë sonë jashtë kufijve.
E po të shtojmë këtu, vështirësitë e panumërta që kemi ne bizneset shqiptare sot, fasoni në vecanti, që fillon me rënien drastiko-enigmatike të Euros në treg, vazhdon me rritjen e taksave e tatimeve jashtë çdo kriteri të matshëm rajonal, ndeshja me arrogancën dhe fodullëkun institucional apo me shkeljen e ligjit me të dyja këmbët nga vetë zbatuesit e tij, do të kuptohej më mirë kolapsi ekonomik ku jemi futur prej kaq kohësh e që nuk po dalim dot.
Duke ju uruar sukses të plotë në protestën tuaj ju përshëndesim për inicjativën tuaj të bekuar, demokratike, të paqtë dhe unike përsa i përket qytetarisë së treguar.
Ne ju mbështesim ju pa më të voglën mëdyshje sepse jemi të bindur se mbështesim fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre në Atdheun tonë, Shqipëri.
Për Dhomën e Fasonistëve të Shqipërisë
Kryetari
Gjergji Gjika