Pasi i quajti ngelës, kryeministri Rama, po u bën ftesë pas ftese për dialog studentëve të cilët sot janë në ditën e 8-të të protestës, por është refuzuar vazhdimisht prej tyre.
Ditën e parë të protestës, kryeministri Rama, teksa i kthente përgjigje një qytetari në “Facebook”, e pyeste atë nëse ishte dakord që të paguante me taksat e tij shpenzime e universitetit për studentët ngelës.
“Më falni po e para ministrja s’eshte as pa shkolle as me UFO, ndryshe nga cfare ju mund te keni mesuar neper kazanet mediatike, nderkohe qe pyetja ime eshte: A jeni ju dakord qe t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit per studentet ngeles?
Une per vete nuk jam dakord e para dhe e dyta, nuk ka asnje rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vete universiteti sa per dijeni, quhet autonomi universitare), po ka zhurme kazanesh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi, si edhe kembengulje nga nje pakice per te mos pranuar zbatimin e reformes qe e nxjerr universitetin nga bataku shumëvjeçar.” – shkruante Rama.
Por pasi protesta u kthye në masive, kryeministri ka ndryshuar qasje dhe disa ditë radhazi që fton studentët për dialog, për gjetjen e një zgjidhjeje për kërkesat e tyre, por është refuzuar në të gjitha rastet prej tyre.
Të njëjtën ftesë ai e ka përsëitur edhe sot, duke iu drejtuar studentëve për dialog dhe duke thënë se qeveria nuk punon mbi bazën e ultimatumeve, por atë të dialogut.
“Të dashur protestues,
Kjo s’është një lojë force, as një lojë kungulleshkash dhe as një lojë e ka kush e ka. Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t’i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin.
Do të ishte hera e parë në historinë e protestave në botë, që protestuesit kërkojnë nga qeveria plotësimin e disa kërkesave dhe s’duan të ulen në tryezë me qeverinë që u thotë hajdeni t’i plotësojmë! (Mbase “tryeza e qeverisë” është një term që e kufizon imagjinatën, po fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar. Ju 140 plus tërë karriget e ministrave me 8 pikat tuaja dhe unë përballë jush, me 8+ pikat e mia:-)
Kujdes nga kushdo ju mëson t’u jepni ultimatume atyre që ju shtrijnë dorën e bashkëpunimit, sepse ju mëson si të bëheni humbës në jetë! Ndërsa kush kujton se një qeveri mund të kuptojë gjuhën e ultimatumeve, ndërkohë që vetë qeveria flet me gjuhën e Dialogut, e ka gabim. Nëse ju keni lënë mësimin për ta bërë universitetin më të mirë, bujrum të ulemi dhe të fillojmë punën bashkarisht për këtë qëllim pa humbur kohë. Çfarë presim?
Ju jeni 10 mijë, studentët në Shqipëri janë 140 mijë. Ju flisni dhe s’doni të dëgjoni, unë i dëgjoj të gjithë dhe dua të flas edhe me ju. Ju keni 1 pikë pastaj bëhen 4 pika dhe më pas shkojnë 8 pika, ndërsa unë kam më shumë se 8 pika. Në parim jam dakord me pikat tuaja, por secila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi. E kjo nuk bëhet si gjëagjëzë në distancë, po si produkt i punës së përbashkët me laps e me letër.
Ju e dini vetë, po unë jam me ju jo me Ariun dhe Ariun se keni në qeveri po brenda e rrotull jush.” – shkruan Rama.