Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi mesazh të fortë Ramës: Do ikësh si hije e errët, kufomë politike


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, është treguar më e ashpër se kurrë me kryeministrin Rama. në një deklaratë për mediat nga selia e partisë që drejton.

Kryemadhi tha se mazhoranca arrogante e kapur nga krimi dhe oligarkët nuk pranon që të gjejë zgjidhje për kërkesat e studentëve, pasi nuk do që t’u heqë milionat oligarkëve me të cilët qeveris.

“Përshëndetje. Sot në emër të LSI studentet tona, të cilat kanë mandat deputeti përfaqësuan tetë kërkesat e studentëve në Parlament, ku i zbërthyen dhe i kthyen ato në projektligje.

Por Mazhoranca, si arrogante që është, si një mazhoranca e kapur nga krimi dhe oligarkët nuk mund të pranojë që nga buxheti 46% i oligarkëve që paguajnë pesë veta, Vilma Nushin, Bashkim Ulajn, Zamir Manen, Shefqet Kastratin, Gon Papulin, Pand Carapulin, nuk pranon tu heq atyre 0.5% nga milionat dhe miliardat e taksave që paguajnë shqiptarët që ata i fusin në xhepin e Edi Ramës, por del dhe trumbeton sikur po i qan zemra për studentët.” – tha Kryemadhi.

Më tej, Kryemadhi, theksoi se kryeministrit nuk do ja falin studentët dhe familjarët e tyre që po u shkatërrohet jeta në këtë vend nën qeverisjen e tij, ndërsa sot tregoi se i urren të rinjtë e vendit.

“Sot, tregove që urren të rinjtë. Ti sot tregove që urren ata që janë më të zotë se ty. Ti sot tregove që ti urren shqiptarët. Pra, ti sot tregove që përfundimisht unë e para dhe të gjithë të tjerët po kuptojmë që ti je armiku i këtij populli.

Armiqtë e këtij populli nuk paskan qenë pushtuesit, po paske qenë ti, pushtuesi i shpirtit dhe i zemrës së njerëzve shqiptarë. Paske qenë ti që u ke grabitur djersën, paske qenë ti që u ke grabitur shkollën, u ke grabitur librat, u ke grabitur bukën.

Paske qenë ti që u ke grabitur stilolapsin studentëve të inxhinierisë. Paske qenë ti që  ke grabitur fletën e formatit asaj vajzës studente, që tha mamaja ime duhet të punojë katër orë e të djersish në sera që unë të blej një fletë formati.

Paske qenë ti mor zotëri, që erdhe si shpëtimtar, që erdhe si një rilindje, po ti nuk paske qenë rilindje e të rinjve shqiptare, ti paske qenë rilindja e fatkeqësisë. Ti paske qenë rilindja e krimit, ti paske qenë rilindja e vrasjes së shpresës.” – shtoi Kryemadhi.

Në fund Kryemadhi e paralajmëroi Ramën duke i thënë se kishte hyrë në politikë si hije e errët dhe po kështu do largohej, si kufomë politike.

“Dhe tani po të them diçka si Monikë. Kur hyre në politikë je fshehur pas emrit tim si një hije e errët, vazhdon të fshihesh pas emrit tim po prapë si një hije e errët, por do ikësh si kufomë politike, po prapë pas emrit tim si një hije e errët.

Dhe po të them, tashmë që u ngritën institucionet e Drejtësisë, që mundohesh ti kapësh, do të ngrihet SPAK-u dhe Byroja e Hetimit, të cilat i pres me padurim të hetojnë aferën tënde të fundit, se nuk është kjo më korruptivja, por ke edhe të tjera.

Aferën tënde të fundit se si në xhepin tënd ke future 30 milion euro në një ditë, 18 milion euro të Unazës së Re nën emrin e Bashkim Mulajt,  12 milion euro prapë në emrin e Bashkim Mulajt me OST-në dhe po të them që do të ketë prapë e prapë të tjera dokumente se si ti bën evazion fiskal vetëm në një kompani nafte 60 milion euro, në 6 vjet kryeministër 360 milion euro dhe ja ku i ke ato para, të cilat ti jo vetëm jo vetëm 5% të buxhetit, por dhe 10% të buxhetit ti mund t’ua japësh studentëve shqiptarë.

Dhe po të them dhe një gjë: Mezi po pres që Byroja e Hetimit ta fillojë punën e saj me aferën më të fundit, më kriminale tënden që është Unaza e Re. Pres që lista të fillojë me emrin tënd, me të Damian Gjiknurit dhe të Afrim Qendros.” – mbylli Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *