Maxhoranca votoi kundër futjes së rendit të ditës të dy amendamenteve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për plotësimin e 8 kërkesave të studentëve.
Deputetetët e opozitës morën pjesë në seancën e sotme plenare pas 5 muajsh bojkot, vetëm për shkak të çështjes së studentëve, por të ndeshur me votimin kundër të mazhorancës, ata u detyruan ta braktisnin seancën.
Më pas kryeministri Edi Rama mori fjalën dhe u bëri sërish thirrje studentëve për të nisur procesin e dialogut.
“Janë të ftuar studentët në çdo moment edhe këtu në këtë sallë. Nëse duan të diskutojnë hapur për 8 pikat e tyre, por edhe më shumë se kaq. Kjo sallë është në dispozicion. Opozita reale e vendit, janë studentët që ngrenë krye në një sistem që i ka marrë ata peng. Në të njëjtën kohë, na kanë dhënë një shuplakë, një shuplakë për të na shkundur dhe për të na bërë t’i hapim sytë më shumë. Ky parlament dhe çdo sallë në këtë qytet, janë hapësira jo për t’i futur në një rrugë. Kjo protestë, që afishon 8 pika, i ka rrënjët shumë thellë. Është e thjeshtë për mua, ta trajtoj si procedurë, si ofertë-kërkesë. Nuk bëhet fjalë për arka me mollë, por për të hapur një proces që nis nga këto pika. Pikat jemi gati t’i plotësojmë një për një.”, tha Rama.
Kryeministri pati disa momente konflikti me deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salinaji, kur ai kërkoi për herë të dytë të merrte fjalën pavarësisht se kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i tha se do t’ja jepte më vonë. Salianji u ngrit në këmbë për t’i bllokuar Ramës foltoren por u përball me truprojat që i dolën Ramës para.
Një tjetër moment tensioni ishte kur deputeti Luçiano Boçi, i hodhi Ramës në fytyrë ligjin për Arsimin e Lartë.