Të parët nga rrethet që kanë nisur protestën sot janë studentët në Korçë. Protesta ka nisur që në 8:30, ku studentëve të Universitetit “Fan Noli’ u janë bashkuar edhe tre shkolla të mesme.
Maturantët sot kanë braktisur mësimin, për t’ju bashkuar studentëve në kërkesat e tyre, pasi vitin tjetër tarifat e larta mund të peshojnë mbi ta.
Nga oborri i universitetit, të rinjtë do të mblidhen tek Katedralja e qytetit dhe do të qendrojnë në heshtje, ashtu sikurse qëndruan dje për herë të parë, studentët në kryeqytet para Ministrisë së Arsimit.
Kërkesat e studentëve të Korçës drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit të Universitetit Fan S Noli:
- Paisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019.
- Dyfishim i buxhetit për arsimin e larte.
- Pergjysmim i tarifes se studimit për të gjithë.
- Përmirësimi i kushteve në konviktet e Universitetit.
- Mbështetje e studentëve me fonde për kërkime shkencore dhe kryerjen e praktikave mësimore.
- Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.
- Bordi i Administrimit të Universitetit të ketë numër të barabartë votash nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Universitetit, por të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
Sakaq, studentët në Tiranë sot kanë vendosur ta zhvendosin protestën e tyre para godinës së Parlamentit rreth orës 10:00.