Ditën e sotme Kuvendi pritet të mblidhet për seancë plenare në orën 10:00, në të njëjtën kohë edhe studentët kanë paralajmëruar të vendosen përballë këtij institucioni duke zhvendosur aty protestën e tyre.
Mirëpo ndërkohë që studentët do të protestojnë për të drejtat e tyre, në axhendën e seancës së sotme plenare nuk parashikohet ndërmarrja e asnjë vendimi në favor të plotësimit të kërkesave që studentët kanë paraqitur.
Parashikohen miratimi i ndryshimeve në disa projektligje, por asgjë që ka lidhje me studentët.
Ende nuk dihet nëse dy amendamentet e propozuara dje nga LSI-ja për zgjidhjen e 8 kërkesave emergjente të protestuesve, do të përfshihen në rendin e ditës.
Ditën e djeshme deputetët e LSI-së bënë me dije se do të paraqiteshin sot në Kuvend për të diskutuar pikërisht për këtë gjë, por në axhendën e bërë publike në faqen zyrtare të Kuvendit, kjo gjë nuk përmendet.