Vendosni fjalën kyçe....

Koni i përgjigjet Ramës: Përpjekja për të gjetur fajtorë e dështuar, sulmet ndaj meje tashmë dihen


Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, u është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama, gjatë takimit të djeshëm mes kreut të qeverisë dhe rektorëvë e dekanëve të universiteteve të vendit.

Në reagimin e tij, Koni, thekson se e di shumë mirë arsyen e këtij sulmi ndaj tij, sulm që ka nisur shumë kohë më parë.

Ai thotë gjithashtu se të mundohesh të gjesh dhe të bësh persona të tjerë fajtorë edhe pse ata nuk kanë faj tregon frikë dhe asgjë tjetër.

Më tej Koni thotë se problematikat e paraqitura nga kryeministri, ai i ka adresuar më herët te ministrja e Arsimit, Nikolla dhe tek ai vetë, por nuk ka marrë asnjë reagim.

Në fund, rektori thekson se protesta e studentëve nëse për qeverinë është shuplakë, për atë vetë është një fitore si shprehje e lirisë dhe demokracisë.

Deklarata e plotë e Mynyr Konit

I detyruar nga akuzat tepër të rënda dhe sjellja e Kryeministrit ndaj personit tim në takimin e ditës së enjte, datë 13 Dhjetor 2018, të mbajtur me autoritetet drejtuese të fakulteteve dhe universiteteve publike ne vend, ju bëj me dije se;

Në fakt është shumë e kuptueshme arsyeja dhe qëllimi i gjithë çfarë është bërë gjatë këtyre ditëve në adresën time dhe që në fakt ka filluar shumë kohë më parë. Këtë e kam ndjerë dhe e kam kuptuar shumë qartë.

Të mundohesh të ndryshosh rrjedhën e gjërave, të mundohesh të gjesh dhe të bësh ‘fajtor’  pa faj, nuk është gjë tjetër veçse  një përpjekje e dështuar që tregon vetëm frikë dhe asgjë tjetër.

Zoti Kryeministër,

Në asnjë ditë të punës time  si Rektor i Universitetit të Tiranës nuk jam ‘arratisur’ nga përgjegjësia, por përkundrazi. Në mënyrë të vazhdueshme, kam paraqitur problematikat (që Ju vetëm tani po i pranoni se ekzistojnë) në të gjitha institucionet e Shtetit Shqiptar, përfshirë edhe Ju.

Akuzat që ju bëni, tregojnë shumë qartë se Ju nuk e njihni ligjin e arsimit të lartë 80/2015.

Të njëjtën gjë bëni edhe me çështjen e tarifës së provimeve të mbartura të studentëve, për të cilën, Senati Akademik i UT, ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosjen  e saj.

Në çdo rast, Ju ushtroni presion, intimidoni, ironizoni dhe  shantazhoni, jo vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë por edhe nëpërmjet mediave që janë pranë qeverisë, duke mos i dhënë mundësinë askujt, në rastin konkret mua, të shprehem dhe të them të vërtetën se çfarë realisht po ndodh në Universitetin e Tiranës.

Është e vërtetë që në Universitetin e Tiranës, ka patur probleme të brendshme, të inskenuara nga kasta drejtuese e vjetër e universitetit, për qëllime të caktuara, që fatkeqësisht kanë gjetur mbështetjen nga institucionet më të larta të Shtetit Shqiptar.

Në Universitetin e Tiranës në asnjë rast nuk ka patur bllokim, sikurse mundoheni ta paraqisni Ju, në mënyrë që të justifikoni  dhe të shtrembëroni arsyet e vërteta të protestës së studentëve.

Ju po deklaroni sot, se duhet të shkarkohen anëtarët e Bordit të Administrimit, kurse unë, në mënyrë të vazhdueshme i kam kërkuar Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të marrë masat e nevojshme për çfarë Ju keni konstatuar sot, si një dështim të funksionimit edhe të Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës.

Bordi i Administrimit të Universitetit të Tiranës, nëpërmjet Administratorit të UT (aktivist në fushatat elektorale të Partisë tuaj), është përpjekur sistematikisht të pengojë zhvillimin normal të punës.

Në fakt arsyeja që unë luftohem është pikërisht njohja shumë e mirë e ligjit të arsimit të lartë, dhe jo vetëm, është përgjegjshmëria e lartë dhe përkushtimi në punë që më karakterizon, dhe mosbërja palë në interesa të caktuara.

Të nderuar kolegë dhe studentë të UT,

Ju siguroj se në çdo ditë të punës time si Rektor i Universitetit të Tiranës, do të vazhdoj të udhëhiqem nga morali dhe integriteti i lartë personal dhe profesional dhe nuk do t’i gjunjëzohem askujt dhe për asnjë arsye, sikurse kam vepruar deri më sot.

Nëse për Kryeministrin dhe qeverinë që ai drejton, protesta e studentëve është një shuplakë, për mua është një shprehje e lirisë dhe demokracisë, dhe si e tillë është një fitore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *