Senati i Shteteve të Bashkuara votoi një rezolutë për të ndaluar ndihmën ushtarake ndaj Arabisë Saudite për luftën në Jemen, si dhe bëri përgjegjës Princin saudit të kurorës, Muhamed Bin Selman për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.
Kjo është hera e parë në histori që një prej Dhomave të Kongresit voton për të tërhequr trupat amerikane nga ndonjë konflikt ushtarak, sipas Ligjit të Fuqive të Luftës të vitit 1973.
Pavarësisht se rezoluta është simbolike e nuk ka gjasa të kthehet në ligj, ajo del kundër politikave dhe qëndrimeve publike të presidentit Trump.
Më pas Senati votoi unanimisht për të akuzuar Princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, për vrasjen e analistit të gazetës Uashington Post, Jamal Khashoggi.
Senatori i pavarur i Vermontit, Bernie Sanders, që e bashkëhartoi rezolutën me republikanin Mike Lee të shtetit Utah, e përshëndeti votimin.
“Sot i themi qeverisë despotike të Arabisë Saudite se ne nuk do të bëhemi pjesë e aventurës së tyre ushtarake. Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdojnë të jenë pjesë e fatkeqësisë më të madhe humanitare të botës”.
Por Arabia Saudite nuk ishte shënjestra e vetme rezolutës së Senatit. Një pjesë e tekstit i bën thirrje Kinës të hapë Tibetin për diplomatët amerikanë dhe për gazetarët, në të kundërt Shtetet e Bashkuara do të sanksionojnë zyrtarët kinezë përgjegjës për krahinën budiste.